Denoncimi në BOOM: Depot e ujit në Elbasan pa roje sigurie

Në emisionin BOOM ka mbërritur një denoncim në lidhje me sigurinë e depove të ujit në qytetin e Elbasanit, të cilat prej më shumë se një jave janë lënë pa ruajtje. Këto janë objekte të rëndësisë së veçantë dhe duhet të kenë ruajtje fizike 24 orë.

Nga një vëzhgim i BOOM në depon e ujit në Krastë të Elbasanit, çelësi i depos ndodhej poshtë një guri.

Gazetarja: Punonjës je? Çfarë pune bën?

Punonjësi e depos së ujit: Manovrues. Pse s`i është puna?

Gazetarja: Roja ku është?

Punonjësi e depos së ujit: Di gjë unë ku është roja?

Gazetarja: Keni roje për momentin?

Punonjësi e depos së ujit: Jo.

Gazetarja: E kishit futur çelësin poshtë gurit ë?

Punonjësi e depos së ujit: Po.

Gazetarja: Kush e bën rolin e rojes tani për momentin?

Punonjësi e depos së ujit: Se di, ne jemi manovrues, nuk përgjigjemi për rojen. Po edhe neve normal.

Gazetarja: Ju e bëni rojen tani?

Punonjësi e depos së ujit: Jo, s`ka njeri.

Depoja e ujit ka disa elemente sigurie, përveç rojes. Një ndër to është edhe rrethimi i saj. Depoja e ujit në Krastë të madhe edhe  pse është e rrethuar me tel dhe bandiera, një pjesë e tyre janë të dëmtuara dhe mund të hysh lehtësisht në objekt dhe të cënosh sigurinë e saj. Një pjesë e telave rrethues pranë derës kryesore janë të hapura.

Mungesa e rojeve edhe tek stacioni i pompave

Janë pompat ato që furnizojnë me ujë depot dhe padyshim që edhe stacionet e pompave janë ndër objektet që duhet të ruhen me roje. BOOM shkoi edhe në një nga stacionet e pompave dhe konstatoi të njëjtin problem edhe aty. Mungesën e rojes.

Gazetarja: Punonjës jeni?

Punonjësi i stacionit të pompave të ujit: Jam elektropompist.

Gazetarja: Këtu janë pompat e ujit? Çfarë zone furnizohet nga këtu?

Punonjësi i stacionit të pompave të ujit: Lart, depot.

Gazetarja: Roje aktualisht në objekt ka?

Punonjësi i stacionit të pompave të ujit: S`kam lidhje me rojet unë. Unë kam lidhje vetëm me pompat.

Gazetarja: Jo, dakord, po rojet e pompave këtu, ku janë aktualisht?

Punonjësi i stacionit të pompave të ujit: Se di unë.

Gazetarja: Këtu rrinë roje zakonisht tek ky objekti juaj, apo jo?

Punonjësi i stacionit të pompave të ujit: Ku këtu?

Gazetarja: Po, ka?

Punonjësi i stacionit të pompave të ujit: Rrinë si s`rrinë.

Punonjësi i stacionit të pompave të ujit: Pompat i ke të treja në punë, janë në rregull.

Gazetarja: Kush po i ruan, kjo është pyetja ime?

Punonjësi i stacionit të pompave të ujit: S`di gjë për atë unë.

Gazetarja: Nuk e dini!

Boom ju drejtua për këtë problem dhe ndërmarrjes së U.K Elbasan, por drejtori tha se është problem i shkaktuar për shkak të ankimit që ka bërë një nga garuesit në këtë tender në agjencinë e prokurimit publik e cila ka shkaktuar vonesa.    

Luan Dervishi:  Ne nuk është që i kemi lënë pa mbulim këto. Në momentin që hodhëm prokurimin për rojet civile u ankua një firmë dhe komisioni i prokurimit publik akoma nuk ka dalë me vendim. Ka kaluar çdo afat ligjor dhe jemi në pritje, janë afatet e dyta, ka kaluar goxha. Gjithsesi ne kemi folur me drejtorin e policisë së shtetit, i cili ka shtuar patrullimet në zonë , gjithashtu kam nxjerrë një urdhëresë që krahas punës së përditshme që kanë pompist dhe të tjerë , të bëjnë dhe punën e rojes, punonjësit e mi. Kam nxjerrë dhe një urdhëresë që inspektorati ta inspektoj 24 orë, të dy zonat në të cilat ne kemi depon dhe  pompat.

Ne gjithë pjesën atje e kemi lidhur me telefona që i paguan shoqëria dhe ne çdo gjysmë ore lidhemi me të gjitha pompat dhe depot. Kështu që jemi në monitorim 24 orë në 24 orë.

Gazetaja: Pamë që afër derës poshtë një guri, qëndronte çelësi.

Luan Dervishi:  Mund të jetë çelësi i asaj zyrës së vogël që kanë atje.

Gazetaja: Jo, ishte çelësi i derës së madhe, derës kryesore të objektit.

Luan Dervishi: Unë do ta verifikoj dhe do të nxjerr edhe unë konkluzion dhe do marrë masa ndaj tyre. Ne kemi pas një mirëkuptim me firmën që ishte që do t`i mbante rojet deri në momentin që do fitonte firma fituese.

Gazetarja: Po ndoshta firma nuk ka me se t`I paguaj?

Luan Dervishi:  Duhet të na kishte kthyer një përgjigje , gjithsesi unë do ta verifikoj edhe këtë rast.          

EMISIONET