Demokratët nisin procedurat për shkarkimin e presidentit Trump

Demokratët nisin procedurat për shkarkimin e presidentit Trump

Deputetët demokratë në Shtetet e Bashkuara kanë shpallur nisjen e hetimeve formale kundër presidentit Donald Trump. Kreu i Shtëpisë së Bardhë akuzohet për presion ndaj shteteve të huaja me qëllim dëmtimin e rivalëve politikë. Kjo mund t'i kushtojë atij garën presidenciale për vitin 2020, por edhe karrigen më të lartë të vendit.

Dhoma e ulët e Kongresit amerikan ka njoftuar nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit Donald Trump.

Kryetarja demokrate, Nancy Pelosi, tha të martën se kreu i Shtëpisë së Bardhë do të hetohet në lidhje me pretendimet se ka dashur të dëmtojë rivalin e vet politik, kandidatin për president, Joe Biden, përmes aktorëve të jashtëm, përkatësisht presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

"Veprimet e ndërmarra nga presidenti kanë shkelur rëndë kushtetutën dhe sigurinë kombëtare. Presidenti duhet të mbajë përgjegjësi. Askush nuk është mbi ligjin," njoftoi Pelosi.

Sipas saj, procedurat hetimore do i rekomandohen komisionit për çështjet juridike.

Kjo do e bënte Trumpin presidentin e katërt në historinë e Amerikës që i nënshtrohet akuzave formale, pas ish-kryeshtetarëve Bill Clinton në vitin 1999, apo më herët, Andrew Johnson dhe Richard Nixon.

Përmes një postimi në Twitter, shefi i zyrës ovale akuzoi opozitën për "gjueti shtrigash".

"Sot ishte një ditë kaq e rëndësishme në Kombet e Bashkuara, kaq shumë punë dhe sukses, ndërsa demokratët me qëllim duan të nxjerrin inatin me këto gjueti shtrigash të orës së fundit. Kjo është kanosje presidenciale," informoi Trump.

Ai shtoi se ka marrë leje nga qeveria ukrainase për të publikuar transkriptin e telefonatës me homologun e tij, Zelenskiy, dhe nuk ka asgjë për t'u shqetësuar.

Hetimet ndaj presidentit amerikan pritet të zgjatin me muaj dhe konkluzionet do i dërgohen Senatit, ku republikanët e Trump kanë shumicën.

Megjithatë procesi do shfrytëzohet politikisht dhe mund të dëmtojë shanset e kreut të Shtëpisë së Bardhë në zgjedhjet e nëntorit 2020.


EMISIONET