Shqipëria shënon rënie në demokraci, zgjedhjet pa opozitën i lanë zgjedhësit pa alternativë

Shqipëria ka shënuar rënie në qeverisjen demokratike, duke mbetur edhe këtë vit në kategorinë e regjimeve hibride dhe demokracive në tranzicion. Organizata amerikane Freedom House fajëson qeverinë se që pas bojkotimit të opozitës, i ka lënë zgjedhësit pa alternativë serioze.
Shqipëria vazhdon të mbetet një demokraci hibride për shkak të konflikteve politike dhe mekanizmave joefektivë të kontrollit të pushtetit.
Në raportin e fundit të "Freedom House" për "Vendet në Trazicion", organizata e qeverisë amerikane e vlerëson Shqipërinë me 47 nga 100 pikë të mundshme, ose 1 pikë më poshtë sesa vitin e kaluar.
Në arsyetimin e saj, Freedom House thekson se situata duket të jetë përkeqësuar në vend në pikëpamjen e qeverisjes.
Ky përkeqësim i atribuohet krizave institucionale por veçanërisht episodeve të tilla, si bojkoti i parlamentit nga opozita, procedura për shkarkimin e presidentit dhe përplasjet mes gjykatave dhe parlamentit.
Mbajtja e proceseve zgjedhore pa u reformuar sistemi dhe pa përfshirjen e pakicës politike gjithashtu shihet si një trend i rrezikshëm për demokracinë e vendit.
Në raport, mosmarrëveshjet ndërpartiake ekspozohen edhe me një foto të ligjvënësve shqiptarë.
"Duke mbajtur zgjedhjet lokale pavarësisht bojkotit të opozitës, partia në pushtet e Shqipërisë i la votuesit pa një alternativë serioze. Bojkotet të opozitës në vende si Shqipëria vijnë nga margjinalizimi i saj prej partisë qeverisë, teksa ligjvënësit opozitarë lodhen nga supermazhorancat joliberale që bëjnë dhe thyejnë ligjet, duke e degraduar idealin parlamentar," nënvizon Freedom House në raportin e saj.
Dinamika të ngjashme vërehen në vlerësimin për 2020-ën edhe për vendet të tjera të rajonit, mes të cilave Kosova qëndron më ulët me 36 nga 100 pikë të mundshme, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi kanë dalë plotësisht nga grupi i vendeve demokratike duke u klasifikuar regjime hibride e duke përkeqësuar vlerësimin për të gjithë rajonin e Ballkanit.
Me gjendjen shqetësuese që identifikon raporti për rënien e demokracisë në vitin 2019, kriza globale e pandemisë së koronavirusit shihet si një pikë kthese.
Në zonën me 29 vende të Evropës Qendrore, Ballkanit dhe Eurazisë që mbulon Freedom House për këtë vit, numri i demokracive raportohet ndër më të ulëtit në historinë 25-vjeçare të tij.