Ministria e Financave dhe Ekonomisë thotë se disponon të gjithe fondet e nevojshme për të përballuar situatat e shkaktuara nga fatkeqësi të tilla natyrore si tërmeti i sotëm.

"Si institucioni që ka në varësi Inspektoriatin Shteteror të Mbikqyrjes së Tregut, MFE po koordinon gjithashtu me pushtetin vendor, kompanitë e ashensorëve dhe administratorët e pallateve për rritjen e ndërgjegjësimit për për të bërë verifikimin e gjëndjes së tyre teknike, pas situatës së krijuar nga tërmeti.

Një informacion më i detajuar për trupat e autorizuara që kryejnë verifikimin e plotë të ashensorëve gjendet në faqen e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut www.ishmt.gov.al si dhe mund të shkruani për rastet emergjente dhe për cdo problematikë tjetër lidhur me ashensorët në adresën [email protected]" .

Ministria e Financave dhe e Ekonomisë thotë se dhe strukturat e saj në varësi janë në gatishmëri të plotë dhe po ndjekin të gjithë situatën në kohë reale.

"MFE po bashkëpunon me të gjitha ministritë e linjës, pushtetin vendor dhe strukturat e tjera që janë në terren për t'u informuar mbi dëmet e shkaktuara nga kjo dukuri natyrore.Edhe pse keto struktura po evidentojne dëmet në terren është ende herët për të llogaritur efektet financiare të këtyre dëmeve".


/Ora News.tv/