Refuzimi për zgjedhje të parakohshme, Basha paralajmëron mazhorancën pas takimit me Venecian

Partia Demokratike paralajmëron protesta kundër qeverisë së Edi Ramës, nëse mazhoranca nuk do të pranojë propozimin e mazhorancës për zgjedhje të parakohshme me qeveri teknike. Paralajmërimi erdhi nga kryetari i PD-së pas takimit me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias.

Në mëngjesin e punës me përfaqësuesit e Venecias, opozita e bashkuar ka shprehur shqetësimin se përveç krizes politike vendi është futur në krizë të thellë kushtetuese.

Në një prononcim për mediat, kreu i PD-së, Lulzim Basha, nënvizoi se qeveria e Edi Ramës ka kapur pushtetin politik dhe atë gjyqësor dhe sipas tij këtë e tregon mjaft qartë miratimi i ligjit për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese një ditë para mbërritjes së Venecias.

Lulzim Basha: Takimi me ekspertët e Komisioni të Venecias ishte shumë i frytshëm. Shqipëria është në një krizë të thellë kushtetuese dhe politike. Ilustrimi më i mirë i kësaj krize, në javët e fundit, janë lëvizjet e çoroditura të një pushteti, i cili nuk pret as për opinionin e Venecias, por ka çuar për miratim, në një Kuvend ilegjitim, masa të tjera që forcojnë kapjen e shtetit, kapjen e drejtësisë, kapjen e Gjykatës Kushtetuese. E gjitha kjo ka çuar vendin në kolaps total. Të drejtat e qytetarëve janë të kërcënuara, prona e qytetarëve është e kërcënuar, jeta e qytetarëve është e kërcënuar, siguria e qytetarëve është e kërcënuar, sepse shteti shqiptar, Republika e Shqipërisë sot nuk është e shqiptarëve, por është një grushti pushtetarësh, të lidhur me një grusht kriminelësh dhe oligarkësh që, së bashku, kanë kapur zgjedhjet, parlamentin, bashkitë, Gjykatën Kushtetuese, gjykatat e  vendit, pronat e shqiptarëve. 

Gjithçka në këtë vend kontrollohet nga një grusht njerëzish. Kjo nuk është demokraci. Ky nuk është shteti ligjor. Ndaj me Komisionin e Venecias diskutuam jo vetëm problematikën që është rënduar nga muaji në muaj, nga viti në vit, që nga fillimi i kapjes së drejtësisë dhe shkatërrimit të reformës në drejtësi nga një qeveri që do të mbrojë dhe fsheh krimet dhe korrupsionin e vet, por edhe rrugën e daljes.

 Rruga e daljes është e qartë: Të kthehet legjitimiteti i institucioneve. Të kemi një parlament që, e ka të lidhur fatin me qytetarët. Një parlament dhe një qeveri që e ka fatin e lidhur me qytetarët, do t’iu shërbejë qytetarëve. Një parlament, një qeveri, një kryeministër që ka dalë, siç kemi dëgjuar nga dosjet “184” dhe “339”, nga bashkëpunimi me bandat dhe krimi i organizuar, është peng i tyre, do t’u shërbejë atyre, do t’i shërbejë oligarkisë.

Kjo është zgjedhja sot para shqiptarëve: do të vazhdojmë me Shqipërinë e 12 pushtetarëve, kriminelëve, oligarkëve apo do të kthejmë Shqipërinë e gjithë shqiptarëve përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe përmes sundimit të ligjit dhe barazisë para ligjit të gjithë qytetarëve dhe jo shfaqjeve propagandistike, të cilat nuk i hedhin më hi syve as shqiptarëve dhe as miqve tanë ndërkombëtarë.  

Për ta çliruar vendin nga kriza politike, opozita jashtëparlamentare ka propozuar qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.

Por në rast se mazhoranca do ta refuzojë një zgjidhje të tillë, Lulzim Basha ka një paralajmërim për Edi Ramën.

Lulzim Basha: Zgjidhja që ne kërkojmë, nuk po e kërkojmë për veten tonë. Ne sakrifikuam gjithçka për t’i hapur rrugën një zgjidhje politike për shqiptarët, jo për veten tonë. Nëse pala tjetër do të vazhdojë të përdorë në mënyrë të paligjshme pushtetin e paligjshëm, paratë e pista të krimit të organizuar, dhe të vendosë interesat e pushtetit të vet dhe të atyre me të cilët ka ardhur në pushtet, kriminelëve dhe oligarkëve, kundër interesave të shqiptarëve, atëherë opozita bashkë me qytetarët do të marrin vendimet që i takojnë një shoqërie europiane për t’u përballur me një grusht njerëzish që kanë marrë peng vendin.

Pas takimit me opozitën, delegacioni i Venecias kanë shkuar edhe në zyrën e kryetarit të KED, Ardian Dvoranit, i akuzuar nga Kreu i Shtetit për shkelje të Kushtetutës.

Misioni faktmbledhës do të dalë me një opinion përfundimtar për emërimin e anëtarëve të gjykatës Kushtetuese në seancën plenare të 20 marsit.





EMISIONET