Çmontohet trafiku, Greqia sekuestron mbi 1 milion maska me origjinë të dyshimtë

Çmontohet trafiku, Greqia sekuestron mbi 1 milion maska me origjinë

Autoritetet greke goditën një rrjet kriminal që shpërndanin maska mbrojtëse, produkte dhe etiketa të falsifikuara nga kompani të njohura.

Më shumë se 1 milion maska dhe 53 mijë produkte të tjera të falsifikuara të markave të njohura të çantave, këpucëve dhe syzeve si dhe etiketa të këtyre kompanive u sekuestruan gjatë operacionit policor.

Ky operacion filloi pas denoncimit të një kompanie për prodhimin e maskave e cila kishte rënë pre e një mashtrimi nga pjesëtarët e këtij rrjeti.

Skema e mashtrimit

Më 22 prill 2020, disa persona kishin kontaktuar me kompaninë ku nëpërmjet palëve të treta kishin rënë dakort për blerjen e 201,900 maskave me një vlerë prej 620,640 eurosh.

Produktet u dërguan por shuma e parave nuk u pagua.

Dy ditë pas marrëveshjes, u ndalua një kamion që transportonte mallra në zonën e Atticas brenda së cilës u gjet një sasi maskash.

Në pranga u vendos drejtuesi i mjetit ndërkohë që iu konfiskua e gjithë ngarkesa. Nga kontrollet në shtëpinë e tij iu gjet dhe një sasi tjetër e maskave të cilat ishin pjesë e të njëjtit mashtrim.

Më 4 maj, një kamion u ndalua duke dalë nga zona e Aspropyrgos dhe në një kontroll, brenda tij u gjetën 23,750 maska mjekësore, të cilat vinin nga i njëjti mashtrim kundër kompanisë.

Sipas Policisë Greke, 2 pjesëtarë të grupit kriminal ishin në automjet dhe u arrestuan. Më pas u kontrollua e gjithë zona nga erdhi kamioni, ku u gjetën dhe 170,670 maska të tjera.

Në total, nga 210,900 maska mjekësore që autorët kanë arritur të nxjerrin me metodën e mashtrimit, u gjetën 194.420, të cilat iu kthyen kompanisë.

Gjithashtu, ditën e djeshme u zhvilluan kërkime në shtëpi dhe në depo në zonat e Agia Varvara, Alimos, Korydallos dhe Egaleo.

Anëtarët e organizatës së specializuar në shpërndarjen e paligjshme të maskave mjekësore, si dhe të produkteve të falsifikuara të kompanive të ndryshme vepruan në mënyrë sistematike.

Ata u siguruan që të ishin të ligjshëm në të gjitha fazat e veprimtarisë së tyre kriminale, nga e cila morën përfitime të konsiderueshme monetare.

Vlen të përmendet se ata prodhuan fatura dhe dokumente të tjera, të cilat legjitimuan transportimin e maskave mjekësore, ndërsa për të fshehur origjinën e tyre dhe për të mashtruar blerësit e mundshëm, ata i riambalazhonin në kuti të reja.

Përveç anëtarëve kryesorë, të cilët koordinuan funksionimin e organizatës, pjesa tjetër merrej me transportimin e mallit.

Mallrat e sekuestruar

Nga kontrollet e kryera, u sekuestruan: 1,110,423 maska mjekësore, 5,245 euro cash, 2 kamionë dhe 3 automjete private, më shumë se 50,000 etiketa të falsifikuara të ndërmarrjeve të ndryshme të veshjeve, më shumë se 3000 artikuj këpucë, orë dore, syze dielli, një sasi të vogël kanabisi, si dhe një pistoletë.

Sipas medieve greke, vlera e rishitjes së maskave tejkalon shumën prej 1 mln euro.

Të arrestuarit

Autoritetet arrestuan 8 pjesëtarë të organizatës kundër të cilëve rëndojnë akuzat për mashtrim, falsifikim produktesh, pastrim parash e armë.

EMISIONET