Një treshe kimistësh amerikanë dhe japonezë janë vlerësuar me Çmimin Nobel në Kimi për vitin 2019.

John B. Goodenough, M. Stanley Whitingham dhe Akira Yoshino fituan të mërkurën çmimin prestigjoz për zbulimet e tyre rreth baterive.

Përfaqësuesi i komisionit të Nobelit tha se njohuritë e fituara në 30 vitet e fundit kanë mundësuar një revolucion në aparatet e rikarikueshme, duke nisur nga celularët, kompjuterët dhe automobilët elektrikë.

Përpos përdorimit në produktet e zakonshme, bateritë e ngarkuara me jone litiumi shfrytëzohen edhe për depozitimin e energjisë të prodhuar nga burime të rinovueshme si dielli dhe era.

Në moshën 97-vjeçare, kimisti amerikan i Universitetit të Teksasit, John B. Goodenough, bëhet nobelisti më i moshuar në historinë e Çmimeve.

Vlerësimet me Nobel për arritjet në fushën e kimisë nisën të ndahen për herë të parë në vitin 1901.

Me të janë shpërblyer vetëm 5 gra, mes tyre kimistja Marie Curie.

Pas çmimeve për mjekësinë dhe fizikën në dy ditët e kaluara, pritet me interes shpallja e fituesit të Çmimit Nobel për Letërsinë, që ndahet të enjten.

Në garë është edhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare. E premtja është rezervuar për nobelistët e Paqes, ku garës i shtohen figura si kreu i Vatikanit Papa Françesku, kancelarja Angela Merkel apo aktivistja 16-vjeçare, Greta Thunberg.

/Ora News.tv/