Qeveria shqiptare nuk përcakton një nivel të minimumit jetik pasi kjo do të ndikonte direkt në kostot në buxhet. Eksperti Adrian Civici shpjegon se nëse minimumi jetik do përcaktohej me ligj atëherë do të ishte e detyrueshme rritja e pensioneve apo e ndihmës ekonomike. Problem sipas Civicit mbetet edhe niveli i varfërisë në Shqipëri si dhe largimi i personave me shkollë të lartë.

Shqipëria ende nuk ka një minimum jetik, fakt ky që e rëndon edhe më shumë gjendjen e të varfërve. Eksperti Adrian Civici shprehet se është qeveria që nuk e përcakton pasi kjo do të kishte kosto financiare në buxhet. Sipas ekspertit të njohur nga një përllogaritje është vlerësuar se të ardhurat minimale duhet të jenë 16 mijë lekë për frymë.

Civici: Nëse ngrihet pragu i minimumit jetik kostot e gjithë politikave që përmendën dyfishohen ose trefishohen dhe mendoj që kjo është një nga arsyet që ne akoma nuk kemi një minimum jetik.

Shqetësues për Shqipërinë mbetet edhe niveli i varfërisë. Sipas raportit të Bankës Botërorë rreth 35 % e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5.5 dollarë.

Civici: Varfërinë që kemi e kemi varfëri të cekët, por të gjerë. Gati 35% e popullsisë që jeton nën këtë nivel është një popullsi vunerabël përsa i përket nivelit të jetësës dhe mundësive të konsumit.

Zgjidhje për këtë situatë sipas Civicit është përputhja e planeve të arsimit me tregun e punës por edhe rritja ekonomike.

Civici: Është edhe varfëri e kushteve të jetesës dhe infrastrukturës, por është edhe varfëri intelektuale dhe mendore sa i aftë dhe i përgatitur është një i shkolluar për të dalë nga varfëria.

Aktualisht në Shqipëri pensioni social është 6 mijë lekë, dhe po kaq edhe ndihma ekonomike, ndërsa pensioni minimal shkon në rreth 10 mijë lekë.

/Ora News.tv/