Janë regjistruar të paktën 17 viktima nga i ashtuquajturi “cikloni bombë” që ka goditur verilindjen e Shteteve të Bashkuara. Autoritetet kanë paralajmëruar përkeqësim të mëtejshëm të kushteve atmosferike gjatë fundjavës, teksa niveli i dëborës pritet të arrijë në 45 cm lartësi në disa qytete.

Stuhia dimërore që ka goditur pjesën veri-lindore të Shteteve të Bashkuara ka shkaktuar të paktën 17 viktima, për shkak të temperaturave ekstremisht të ulëta. Rreth 60 milionë banorë janë në rrugën ku po kalon kjo stuhi, ndërkohë që autoritetet paralajmërojnë përkeqësim të mëtejshëm të kushteve të motit përgjatë fundjavës.

Në qytete si Bostoni pritet që niveli i dëborës të mbërrijë deri në 45 cm, ndërkohë që rritja e nivelit të dallgëve në det ka shkaktuar tashmë përmbytje në zonat bregdetare të rajonit. Menjëherë pas përfundimit të reshjeve të dëborës, meteorologët parashikojnë rënie drastike të temperaturave, për shkak të zhvendosjes së ajrit të ftohtë drejt rajonit mes Atlantik.

Stuhia e ashtuquajtur “ciklon bombë” ka krijuar jo pak pështjellim edhe në qarkullim. Rreth 4.000 fluturime janë anuluar teksa bora mbuloi pjesë të bregdetit veri-lindor dhe Kanadasë lindore. Sakaq, autoritetet kanë paralajmëruar banorët të tregojnë kujdes gjatë këtyre ditëve të karakterizuara nga kushtet e vështira të motit.

/Ora News.tv/