Qeveria shqiptare ka marrë kredi nga FMN për të përballuar krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia. Kjo ka sjellë automatikisht edhe rritje të borxhit publik nga 65% që ishte para Covid-19.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë,Gent Sejko, për Rtv Ora thotë se kjo goditje e fortë ekonomike imponon mosrespektimin e nivelit të borxhit për një afat të përcaktuar kohe.

Sejko: Bankat qëndrore në të gjithë botën kanë theksuar dhe kanë dalë nga kriteret e ruajtjes së nivelit të borxhit. Kjo goditje e fortë ekonomike imponon mosrespektimin e nivelit të borxhit për një afat të përcaktuar kohe. Qeveria shqiptare do t'i gjejë burimet e nevojshme përmes huasë. Bllokimi i ekonomisë ka sjellë që mos të ketë të ardhurat në buxhetin e shtetit. Të gjitha qeveritë janë të detyruara që të marrin borxh. Ky borxh do të menaxhohet në vitet e ardhshme për ta ulur atë. Banka Qëndrore ka në fakt objektiv politikën monetare. Politika fiskale menaxhohet nga qeveria. Niveli i borxhit do të rritet.

Nuk ka një shifër ekzakte deri ku mund të mbajë borxhi i Shqipërisë, vijon Sejko, por kjo do të varet nga mirëmanaxhimi i financave publike.

Sejko: Sa më mirë të menaxhohen ato, aq më mirë do të shkojë borxhi. Ne kemi ndjekur një politikë monetare lehtësuese që shkonte në drejtim të uljes së normave të interesit për të nxitur kreditimin, konsumin dhe investimet dhe një politikë fiskale konsoliduese e cila synonte në uljen e nivelit të borxhit publik. Me këtë krizë, do të jemi të detyruar të kalojmë nga konsolidimi fiskal në njëfarë lehtësimi fiskal. Nëse do të ketë një menaxhim të mirë fiskal, niveli i borxhit do të ulet.


/Ora News.tv/