Ish Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, nuk nguron të mbështesë vullnetin e qeverisë kundër krimit por ai argumenton se ligji i njohur me termin “Anti-KÇK”, shkel kushtetutën, të drejtat e njeriut dhe uzurpon kompetencat e SPAK dhe BKH. Halimi, duke ju referuar kushtetutës  dhe vendimeve të gjykatës evropiane thotë se ky ligj vendos kreun e SPAK nën urdhra të drejtpërdrejtë të ministrit të Brendshëm. 

Ish-Ministri i Drejtësisë, Eduard  Halimi, ngre pikpytje mbi ligjin special të qeverisë, i njohur si “anti KÇK”, duke theksuar se paraqet probleme në raport me një proces të drejtë ligjorë.

Në një analizë të thellë teknike, Halimi, thotë se ky ligj uzurpon kompetencat e institucioneve të pavarura, e kjo sipas tij me një gjuhë  diplomatike u tha edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Eduard Halimi: Merren në një dorë edhe gjurmimi i veprimtarisë kriminale edhe hetimi i veprimtarisë kriminale. Mbledhja në një dorë edhe e hetimit edhe e gjurmimit është një zgjidhje e papërshtatshme, e cila vjen në kundërshtim të paktën me 5 vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe me 5 vendime të Gjykatës së Strasburgut. Hartimi i një liste të zezë me eksponentë të krimit, të cilët kanë vënë pasuri të paligjshme është detyrë e gjurmimit të policisë, por hetimi i këtyre i këtyre individëve duhet të bëhet nga institucione të pavarura, gjykatë dhe prokurori e pavarur. 

Eduard Halimi, thotë se çdo nismë e qeverisë kundër krimit duhet inkurajuar, por kurrsesi thotë ai nuk duhet pranuar që “Anti KÇK”, të  marrë  kompetencat e SPAK dhe BKH.

Eduard Halimi: Policia duhet të jetë në shërbim të SPAK dhe jo SPAK në shërbim të policisë, sepse mënyra si është shprehur qeveria në ligjin që ka miratuar vetë, thotë se OFL do të ketë në përbërje të vetë drejtorin e SPAK dhe do të drejtohet nga ministri i Brendshëm. Pra drejtori i SPAK do të jetë një nga anëtarët e OPL bashkë me drejtorin e policisë dhe institucioneve të tjera dhe në krye do të jetë ministri i Brendshëm që do të ketë në dorë gjithë pjesën e gjurmimit dhe hetimit.

Ajo çfarë e bën me problematike situatën, argumenton Halimi është mungesa e Gjykatës Kushtetuese, për të atakuar këtë nisëm te qeverisë. Ai  shpreson se zbatimi të jetën nën frymën e ndërkombëtareve,  e jo siç është shkruar në ligj.

Eduard Halimi: Teknikisht apo juridikisht më duket e pamundur që parlamenti të bëjë ndryshime tani sepse çdo ndryshim që do të bënte brenda 45 ditëve do të afektonte veprime që po kryhen sot, ndërkohë që policia në bazë të listës që ka të vazhdojë me procedurat e veta në zbatim të ligjit. Kështu që ngelet ajo shpresë e SHBA dhe BE që zbatimi i ligjit do bëhet jo sic është shkruar, por në përputhje dhe me standardet evropiane.

Ligji “anti KÇK” u prezantua të premten, ndërsa nga e hëna operacioni forca e ligjit do të nis një aksion në gjithë Shqipërinë, ku në  shënjestër do të jenë grupet e organizuara kriminale  dhe bllokimi e konfiskimi i pasurive të tyre.  Qeveria ka hartuar një liste të zezë me emra konkret, ndërsa  do tu kërkohet që brenda 48 orëve të justifikojnë pasurinë e tyre, në të kundërt ato do të bllokohen.

/Ora News.tv/