Shpërthejnë dy makina në Durrës e Cërrik

Shpërthejnë dy makina në Durrës e Cërrik

Dy automjete kanë shpërthyer në flakë në orët e para të mëngjesit të së hënës në Cërrik dhe në Durrës.

Ngjarja e parë dyshohet se ka qenë e qëllimshme. Automjeti tip opel me targa AA 623 BB i cili përdorej nga efektivi i policisë së shtetit Eglantino Kamberaj është djegur pjesërisht. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në lagjen nr.1 të Cërrikut.

Policia po heton për një akt të qëllimshëm ndërsa në pyetje ka marrë edhe pronarin e mjetit me iniciale I.K, dhe oficerin që kishte mjetin në përdorim.

Ndërkohë një tjetër automjet ka marrë flakë në ecje në lagjen Nr.4 Durrës mëngjesin e sotëm. Ngjarja ka ndodhur në ora 08.15 në aksin rrugor nga ish hotel Vollga në drejtim të plazhit të Durrësit.

Policia tha se në makinën tip Benz ndodheshin dy femra ku drejtuese ishte shtetasja Esmeralda Topollaj. Nga ngjarja ka pasur vetëm dëme materiale ndërsa ka shkaktuar panik tek qytetarët e shumtë që po lëviznin në aksin ku ndodhi djegia e automjetit.

Policia e shtetit ka bërë me dije se Grupi Hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të shpërthimit. Burimet nga grupi hetimor thanë paraprakisht se shkak i ngjarjes dyshohet të ketë qenë një defekt teknik në automjet.


(Foto arkiv)

EMISIONET