Për ekspertin e marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka një rol të jashtëzakonshëm për zgjidhjen e krizës aktuale politike. Në një intervistë për Ora News, ai tha se nëse Kushtetuesja do mendojë për zgjidhjen e krizës vendimi do të jetë shumë i lehtë, por në të kundërt, kriza do të thellohet.

Enver Bytyçi: ''Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka një mision të jashtëzakonshëm në këtë rast. Kosova ndodhet përpara ngjarjeve të mëdha. Nëse Kosova do ta kalojë këtë periudhë me sukses, se rruga e saj, ardhmëria e saj është e shkëlqyer. Por nëse ajo do të ngecë si rezultat i intrigave në vend dhe do të shkaktojë një përplasje sociale, politike e më gjërë, Kosova do të humbë shumë. Gjykata Kushtetuese është organi siprem për një vend, e cila me vendimet e saj i jep fund diskutimeve për çështjen e një krize të caktuar. Kosova është në krizë politike, mosbesimi, krizë në konflikt politikanësh me orientime të ndryshme strategjike, dhe për pasojë duhet ta zgjidhë Gjykata Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të mendojë për zgjidhjen e krizës atëherë vendimi do të jetë shumë i lehtë. Por nëse ky institucion do të bëhet pjesë e makinacioneve të politikës në Kosovë, atëherë nuk do ta zgjidhë krizën por do ta thellojë atë.''

Sipas Bytyçit, për shkak të ligjit elektoral në Kosovë, është e pamundur që një parti politike të sigurojë më shumë se 50% të votave, por do duheshin të paktën 60%.

Enver Bytyçi: ''Në Kosovë për shkak të ligjit elektoral, për shkak të konfiguracionit politik, është e pamundur që një parti politike të sigurojë më shumë se 50% të votave. LDK në zgjedhjet e para lokale dhe parlamentare pati siguruar afro 50%. Duhet të kemi parasysh se 50% i votave është 50% i 100 vendeve në parlament sepse 20 vende janë të rezervuara për minoritetet, kryesisht për atë serb. Për pasojë do duheshin 60% e elektoratin që të votojë një subjekt politik që të ketë shumicën absolute në parlamentin e Kosovës. Kjo nuk arrihet asnjëherë. Por një shprehje tjetër e vullnetit të qytetarëve të Kosovës do të çonte në formatizimin më të saktë të spektrit politik. Nëse Vetëvendosja do të ngrihet në përqindje paksa dukshëm, do të thotë se elektorati në Kosovë voton për opsionin e Vetëvendosjes. Nëse një parti tjetër politike do të ulet në këtë përqindje, do të thotë që vendimi politik i partisë tjetër politike cilado të jetë ajo ka qenë i gabuar.Pra, nuk është fjala vetëm për të garuar për të marrë 50+1% të votave në elektoratrin e Kosovës. Fjala është për të testuar qëndrimet politike të sotme në këtë konflikt politik. Testimi shkon për atë që ka të drejtë në rritje dhe për atë që është në rrugë të gabuar në zbritje.''


/Ora News.tv/