Bylykbashi: Reforma zgjedhore nuk e zgjidh krizën politike

Bylykbashi: Reforma zgjedhore nuk e zgjidh krizën politike

Reforma zgjedhore nuk e zgjidh krizën politike në vend. Kështu u shpreh ish-deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, i cili i ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora tha se kjo krizë zgjidhet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Oerd Bylykbashi: Reforma zgjedhore nuk është zgjidhja e krizës politike. Krizën politike në fund fare e zgjidhin vetëm zgjedhjet parlamentare të bëra me garanci dhe bëjnë të mundur që shqiptarët të bëjnë rrotacion politik me votë.

Ish-deputeti i PD tha se opozitës i interesin reforma zgjedhore, por sipas Bylykbashit nuk ishte reforma zgjedhore pengesa për të zhvilluar zgjedhjet.

Oerd Bylykbashi: Ne aty ishim për të dhënë edhe diçka tjetër, që nuk ishte reforma zgjedhore problemi për të cilin zgjedhjet nuk qe e mundur që të zhvilloheshin. ODIHR thotë që baza ligjore ishte e shëndoshë për të bërë zgjedhje demokratike, por mungoi vullneti politik. Kujt i mungoi vullneti politik kur bëri zgjedhjet pa patur parasysh interesin e zgjedhësve? Qeverisë, Edi Ramës.

Bylykbashi hodhi poshtë zërat për një përçarje mes PD dhe LSI. Sipas tij, opozita është e bashkuar, ndërsa tha se largimi i Ramës është vetëm çështje kohe.

Oerd Bylykbashi:  Opozita është e bashkuar dhe nuk ekziston asnjë nga këto probleme që përpiqen të kapin analistët dhe gazetarët. Ne kemi qëndrimin e qartë në lidhje me reformën zgjedhore dhe në lidhje me të gjitha qëndrimet e tjera. Shqipëtarët përcaktojnë fituesit me votë të lirë dhe më këtë histori, Edi Rama e ka prerë biletën, është vetëm çështje kohe.

EMISIONET