Bullgaria i ka thënë po paraprakisht hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, sikundër disa vende perëndimore si Gjermania apo Holanda, edhe Sofja ka kushtet e saj, të cilat lidhen më së shumti me minoritetin dhe interesat bullgare në të dyja vendet.

Bullgaria i ka dhënë dritën jeshile me kushte hapjes së negociatave për anëtërësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

Dokumenti u miratua të enjten nga parlamenti bullgar me 129 vota nga 240 të mundshme, dhe 4 kundër nga shumica e grupeve kuvendore.

Për Shqipërinë, deklarata-kuadër kërkon respektimin tërësor të minoritetit kombëtar bullgar, si edhe mësimdhënien në gjuhën amtare në zonat ku jeton tradicionalisht minoriteti i vendit, si Gollobordë, Gorë, Prespë, Korçë, Elbasan dhe Kukës.

Teksti kërkon ndër të tjera që censi i ardhshëm i popullsisë të pasqyrojë me objektivitet përbërjen etnike të vendit.

Për palën maqedonase, kërkesat janë më të rrepta, dhe përveç të drejtave të pakicave përfshijnë edhe heqjen dorë nga pretendimet gjeografike a historike përkundrejt Bullgarisë, dhe nga gjuha e urrejtjes në tekste shkollore apo tabela.

Theksohet se kushtet për të dyja vendet aspirante duhen përmbushur përpara hapjes së kapitullit të parë të negociatave me Brukselin.

Ministrja e Jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva, deklaroi një ditë më parë pas mbledhjes së kabinetit se moshapja e negociatatave me Shqipërinë dhe fqinjin e saj lindor do të krijonte destabilitet në rajon.

Kushte për negociatat kanë shpallur më herët zyrtarisht edhe vende si Gjermania apo Holanda.

Ndërkohë që afron vendimi paraprak i 15 tetorit, dy deputetë të Bundestagut gjerman po vizitojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Socialdemokratët Metin Hakverdi dhe Kristjan Petri i thanë të enjten medies gjermane DË se shtetet anëtare me gjasë do arrijnë të unifikojnë qëndrimin e tyre pro negociatave deri javën e ardhshme.

/Ora News.tv/