Banka e Shqipërisë parashikon një tkurrje të fortë ekonomike dhe rritje të papunësisë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Sipas saj rikuperimi do të nisë vetëm në 2021, ndërsa sa i përket rikthimit të inflacionit në objektiv sipas bankës qendrore kjo mund të ndodh brenda dy viteve të ardhshme.

Pas përhapjes së pandemisë ekonomia shqiptare pritet të njohë një tkurrje të fortë dhe një rritje të papunësisë.

Banka e Shqipërisë prezantoi raportin e politikës monetare për tremujorin e dytë, ku ndër të tjera evidentoi frenimin ekonomik në planin afatshkurtër.

Por sa i përket planit afatgjatë, Banka nuk nxituar të bëjë parashikime sesa do jetë rritja ekonomike në terma konkret për vitin 2020.

Në skenarin më optimist, Banka parashikon se rikuperimi i ekonomisë do të jetë relativisht i shpejtë, duke mundësuar rritje ekonomike pozitive brenda vitit 2021 dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda një horizonti kohor dyvjeçar.

Në skenarët më negativë, nëse kufizimet do të zgjasin në kohë edhe rikuperimi ekonomik do të vonohet dhe ngadalësohet dhe problematikat do të jenë më të thella.

Banka vlerëson se shpejtësia e kthimit të inflacionit në objektiv do të varet nga forca e rikuperimit të ekonomisë.

Megjithatë, pasiguria për zhvillimet ekonomike në të ardhmen është shumë e lartë.

Pjesë e analizës së Bankës së Shqipërisë ishte edhe tregu i naftës dhe ai i këmbimit valutor të cilat janë ndikuar nga situata pandemike.

Gjithësesi, Banka thekson se këto tregje u ndikuan në muajin mars dhe fillimit e muajit prill, ndërkohë që tashmë ato janë stabilizuar.

Gjithashtu Banka u shpreh se shpejtësia e rikuperimit të ekonomisë do të kushtëzohet edhe nga ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar, kufizimi i dëmit në bizneset dhe sektorët e prekur.

Sa i përket masat që do të merren për të shmangur efektet negative, Banka e Shqipërisë bën të ditur se ato do të jenë në përputhje me realitetin dhe nevojat e tregut financiar shqiptar.




/Ora News.tv/