Kryeministri britanik, Boris Johnson, mund të jetë duke planifikuar një proces të befasishëm zgjedhor përpara Brexit. Mediet lokale shkruajnë se shefi i ekzekutivit ka mundësi të humbasë një mocion mosbesimi ndaj tij në muajin shtator. Megjithatë shanset janë të larta që ta rimarrë pushtetin nëse zgjedhjet do të mbaheshin.

Në Britaninë e Madhe mendohet se kryeministri i ri i vendit, Boris Johnson, mund të shpallë zgjedhje të parakoshme.

Vizitat e kreut të qeverisë në çdo rajon të vendit, premtimet për investime miliarda dollarë në infrastrukturë dhe përzgjedhja e një eksperti të fushatave zgjedhore në stafin e tij, janë disa nga indiciet që mediet vendase qarkullojnë në faqet e tyre.

Këto nisma duket se janë provokuar nga sfida më e madhe me të cilën përballen britanikët, që është dalja nga Bashkimi Europian më 31 tetor.

Johnson raportohet se ka trashëguar një shumicë të lëkundur deputetësh që nuk e përkrahin.

Zgjedhjet e reja do i mundësonin atij një grup parlamentarësh në favor të planit të tij Brexit, që ai është zotuar ta çojë përpara edhe pa dakordësinë e BE-së.

Sondazhet tregojnë se edhe në rastin e zgjedhjeve të reja, konservatorët do të ishin më të avantazhuarit me një numër gati dyshifror nga partitë e tjera politike, laburistët do të renditeshin 10 pikë më poshtë me 22 për qind të votës, liberaldemokratët me 19 për qind, dhe të gjelbrit 11 pikë më pak.

Për zgjedhjet e parakohshme mund të bëhet shkas së shpejti edhe një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, që opozitarët laburistë dhe disa deputetë të shumicës kanë paralajmëruar se do ta votojnë në muajin shtator.




/Ora News.tv/