Mediat britanike raportojnë se dy shqiptarë janë dënuar me burg pasi në shtëpinë e tyre policia zbuloi 100 bimë kanabis sativa.

Autoritetet britanike në Darwen bastisën banesën e dy shqiptarëve pas ankesave të fqinjëve për erën e kanabisit. Aty gjetën dy shqiptarë, të identifikuar si Mentor Vata dhe Shpresim Vehapaj.

Bastisja ndodhi në 24 qershor, ndërsa dy shqiptarët u dënuan përkatësisht  Mentor Vata  me dy vjet burg dhe Shpresim Vehapaj mori një dënim prej katër muajsh. Por përfaqësuesja i gjykatës i tha dy shqiptarëve se ata do t'i nënshtroheshin procedurave të dëbimit.

Kultivimi i kanabisit bëhej në banesë

Dy shtetasit shqiptarë e kishin shndërruar banesën e tyre në një laborator të vërtetë të kultivimit të kanabisit, pasi ata lëndën narkotike e kishin mbjellë nëpër dhoma.

Në dhomën e parë oficerët gjetën rreth 20-30 bimë, në fazën e hershme të rritjes, si dhe llamba për ndriçimin e lëndës narkotike.

Edhe në dhomën e dytë u gjetën rreth 20-30 bimë, në të njëjtat kushte që ishin edhe në dhomën e parë. Ndërsa në dhomën e tretë u gjetën bimë të thara dhe në papafingo u gjetën rreth 50-60 bimë.

Vidhnin edhe energjinë elektrike

Po ashtu kishte informacione se energjia elektrike në banesë merrej në mënyrë të paligjshme.

Sipas mediave, Vata 26 vjeç dhe Vehapaj 26 vjeç nuk kishin një adresë fikse dhe nuk kishin dënime të mëparshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Avokati: Kishin ardhur për një jetë më të mirë

Avokati i dy shqiptarëve, Adam Watkins tha se dy klientët e tij kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Britani, në kërkim të një jete më të mirë. Ai u shpreh para gjykatës së dy shqiptarët do ta kishin të vështirë në burg pasi nuk mund të flasin anglisht.

Për Mentor Vatën, avokati tha se erdhi në Britani me kamion, duke shpresuar se do të gjente punë, me të cilën do të ndihmonte familjen në Shqipëri.

"Ka bërë punën e kopshtarit, po nuk ka mundur të fitojë para. Ajo që i sigurohej ishte vetëm një krevat dhe ushqimi, por nuk fitonte para për të ndihmuar familjen".

Ndërsa për Shpresim Vehapaj, avokati deklaroi se ai kishte punuar në sektorin e ndërtimit në Londër dhe se ndodhej në atë banesë vetëm për disa orë.

"Ai nuk është i përfshirë në këtë ngjarje. Ai ka pranuar se do të paguhej për ndihmën në ato pak orë", tha avokati.

                                                                             

/Ora News.tv/