Bosi i mafias “Cosa Nostra” në fund të jetës, Ministri bën aktin human

Bosi i mafias “Cosa Nostra” në fund të jetës,

Bosit të Cosa Nostras, Totò Riina, duket se i ka ardhur fundi. Kapomafia, i cili ka qenë i sëmurë për një kohë të gjatë, është në koma prej disa ditësh pas dy ndërhyrjeve kirurgjikale. Ministri Orlando ka nënshkruar lejen: fëmijët do të jenë pranë tij.

Toto Riina duket se është në fund të jetës. I sëmurë prej kohësh, bosi i Corleones është shtruar në repartin e të burgosurve në Spitalin e Parmës.

Bosi i mafies, 87 vjeç, është në koma prej disa ditësh, pas dy ndërhyrjesh kirurgjikale. I arrestuar më 15 janar të vitit 1993, pas 24 vitesh në arrati, Toto Riina konsiderohet ende edhe sot nga hetuesit si shefi i padiskutueshëm i “Cosa Nostra”-s.

Ai po vuan 26 dënime të përjetshme për dhjetëra vrasje dhe masakra, mes të cilave edhe atentatet e ’92-shit, ku humbën jetën Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.

Ai nuk ka treguar asnjëherë, as edhe një gram pendesë. Vetëm 3 vite më parë, duke folur në burg me një tjetër të burgosur, ishte mburrur me vrasjen e Falcones dhe vazhdonte ndërkohë të kërcënonte me jetë gjykatësit.

Procesi i fundit në ngarkim të tij vazhdon ende, mbi të ashtuquajturën tratativë “shtet-mafia”, ku ai akuzohet për kërcënim. Javët e fundit, Riina është operuar dy herë. Mjekët kanë paralajmëruar që në fillim për gjendjen e vështirë të bosit.

Tani, me lejen e ministrit të Drejtësisë, djemtë e tij mund t’i qëndrojnë pranë në Spitalin e Parmës, në ato që mendohet se janë ditët e fundit të tij.

EMISIONET