BOOM/ Vrasje me paramendim apo vrasje nga një person i papërgjegjshëm? Gjykata po liron ish-komandon Alban Voda

Emisioni investigativ  "BOOM" në RTV Ora denoncoi mbrëmjen e sotme tentativën për lirimin e një të dënuari për vrasje.

Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më 5 mars 2017 në një fshat të Këlcyrës, ku ish-ushtari profesionist, Alban Voda, i cili kishte qenë dhe pjesë e dy misioneve paqeruajtëse në Kabul dhe Herat vrau fqinjin e tij, me të cilin kishte pasur dhe konflikte të mëparshme.

Ngjarja ishte makabre. Pasi e qëlloi me thikë disa herë, ai i preu dhe kokën viktimës Nesim Hoxha, 66 vjeç.

Dëshmitarët në fshat thonë se mes palëve ka pasur dhe më herët konflikt, një gjë të tillë e pohon edhe e shoqja e viktimës, e cila thotë, kishim një konflikt, po pastaj e lamë, nuk bëmë gjë.

Të afërm të viktimës dhe dëshmitarë në fshat mohojnë që autori të ketë patur probleme mendore.

Mjeku psikiatër i zonës në një intervistë asaj kohe deklaron se personi nuk është paraqitur asnjëherë dhe nuk ka asnjë vizitë te mjeku psikiatër apo konsultë.  

Vëllai i viktimës, tregon se përpara se të arrihet te krimi makabër, palët kanë pasur konflikte të cilat policia në çdo rast i ka lënë pa autor.

Sipas tij kjo është një vrasje me paramendim, madje e organizuar sipas tij edhe nga persona të tjerë.

Edhe avokati, Kondi Ilia, thotë se Albano Voda në bazë të provave që ekzistojnë nuk është person që vuan nga ndonjë sëmundje edhe pse akti i ekspertimit një akt i njëanshëm ka dalë në një konkluzion të tillë.

Aktekspertimi psikiatriko-ligjor për Alban Vodën

Aktekspertimi psikiatriko-ligjor për Alban Vodën  ka dalë 7 muaj pas vrasjes. Prokuroria pyet eksertët Ilda Aliko dhe Anila Kafazeri a vuante në kohën e kryerjes së veprës penale autori nga ndonjë problem i shëndetit mendor? Nëse po nga çfarë problemi?

Në aktin vetëm 2 faqe e gjysmë letër A4 ekspërtet shprehen:

"Vlerësimi kryhet pas kërkesës së Prokurorisë për kryerjen e tij, kartelës klinike pranë qendrës spitalore në burgje si dhe vlerësimit klinik".

Në konkluzion shkruhet: "Shtetasi Alban Voda vuante në kohën e kryerjes së veprës penale nga skizofrenia, tipi paranoid.Në këto kushte shtetasi nuk është i përgjegjshëm për veprën e kryer. Avokati thotë ky është akt tërësisht i njëanshëm i bërë 7 muaj pas ngjarjes. Duhet të ishte bërë menjëherë pas ngjarjes, kemi një akt ekspertimi të njëanshëm , të gjitha provat që përmenda nuk janë marrë, nuk janë intervistuar as familjarët, po ka shërbyer si provë, vetëm intervista me autorin e veprës penale".

Normal që autori do të shfajësohet dhe të ngrejë alibi në lidhje me kryerjen e veprës penale.

Kodi penal parashikon për vrasjen me paramendim, 25 vjet deri në burgim të përjetshëm, ndërsa në kushtet kur akti i ekspertimit mjeko- ligjor dhe gjykata e Përmetit ka vendosur mjekim të detyrueshëm për shtetasin Albano Voda, në momentin që ai bëhet mirë, për çdo vit mund të kërkojë rivlerësim të masës pranë gjykatës, dhe të dalë i lirë.

Mjeku psikiatër, Pasho Maksuti, sa i takon diagnozës thotë se një person mund të ketë një epizod skizofrenik, që zakonisht ne me një epizod, nëse nuk i ka plotësuar 6 muaj me simptomatikë ne nuk e vëmë diagnozën skizofreni.

Por si e vunë diagnozën skizofreni mjeket që bënë akt ekspertimin, kur Alban Voda nuk ishte vizituar asnjëherë dhe nuk kishte marrë asnjë ditë, jo më 6 muaj, mjekim me simptomatikë deri në momentin që kreu vrasjen?

Psikiatri: Skizofrenia është një nga ç`regullimet më të rënda të shëndetit mendor.Për shkak të disa ngjashmërive e quajnë kanceri i psikiatrisë.Ecuria është kronike e gjatë.Shpesh herë është dëmtuese për funksionimin në shoqëri, familje dhe në punë.Fillon ndrsyhon sjellje, qoftë dhe nga paraqitja e jashtme , fillon të flas me vete të qësh me vete, të bëj veprime të çuditshme.Një person mund të ketë një episod skizofrenik, që zakonisht ne me një episod, nëse nuk i ka plotësuar 6 muaj me simptomatikë ne nuk e vëmë diagnozën skizofreni, cdo epizod lë një pasojë e cila e shoqëron skizofreninë.

Gazetarja: Për sa kohë nuk kemi prova që kjo sëmundje ka egziatuar dhe përpara kryerjes së vrasjes, kjo sëmundje mund të jetë shfaqur edhe pas, çfarë i ndan këto nga njëra-tjetra?Ligji e ka përcaktuar, që një person mund të jetë i sëmurë para kryerjes së veprës, mund të sëmuret pas kryerjes së veprës penale. Kur bëhet fjalë për një sëmundje të rëndë, bëhet fjalë për simtoma që nuk fshihen si të çdo sëmundje tjetër somatike.

Shkeljet e prokurorisë dhe dyshimet e gjykatës për akt-ekspertimin.

Vetë prokurori i prokurorisë së Apelit Gjirokastër ka qenë pro faktit që të shfuqizohej vendimi i gjykatës së shkallës së parë Përmet që la me masë mjekësore Alban Vodën.

Në materialet e regjistrimit audio të kësaj seance gjyqësore, prokurori pranon se në këtë proces ka pasur shkelje të rënda proceduriale, të cilat i kërkon kësaj gjykate t`i ndreqë, duke rikthyer çështjen për rigjykim.

Gjyqtari: Fjala për ju prokuror.

Prokurori: Po, z.Gjyqtar. I vetmi nen që u jep të drejtë që të ankimojnë një vendim mosfillimi ose pushimi të prokurorit, vendimi mosfillimit merret nga prokurori, ndërsa vendimi i pushimit dërgohet për miratim në gjykatë, është neni 58 gërma f.e kodit të procedurës penale. Por kjo e drejtë gjatë gjithë shqyrtimit të gjithë kësaj çështjeje në shkallë të parë, në të dyja gjykimet, si në veprimet paraprake të gjytarit ashtu dhe në vendim themeli, kjo e drejtë ju është privuar trashëgimtarëve të viktimës.

Procedura e ndjekur është komplet e gabuar, procedurialisht. Prokurori fillimisht e çon kërkesën për miratim të vendimit të pushimit. Në seancë gjyqësore ndryshon qëndrim dhe çon kërkesë për miratimin e kërkesës për gjykim. Një qëndrim i gabuar. Edhe procedurialisht nuk lejohet. Se ai mund ta tërhiqte kërkesën, mund ta merrte dosjen përsëri në prokurori dhe të dilte në një konkluzion tjetër.

Por çfarë u shqyrtua në shkallë të parë, në veprimet paraprake që prokurori të ndryshonte qëndrim? Asnjë provë e re, asnjë konkluzion i ri, asnjëgjë.Prokurori ndryshon qëndrim dhe kërkon kërkesë për miratim të kërkesës për gjykim. Gjatë gjykimit të çështjes, pa u administruar asnjë provë, pa u shqyrtuar asnjë provë, dilet në konkluzionin për pushim.Po ky vendim pushimi që u mor në gjykim themeli me tre gjyqtar, duhej marrë në hetim paraprak, me 1 gjyqtar të vetëm.

Tani lind problemi që pse ankimohet tani ky vendim nga përfaqësuesit? Gjithë këto shkelje, gjithë këto mohim të drejtash, kush do t`i rregullojë?

I vërtetë është fakti që ne jemi përballë ndryshimeve të kodit të procedurës penale dhe nuk kemi vendime unifikuese që për ato boshllëqe që konstatojmë të dalim me një qëndrim që do ta kemi bazë përgjithmonë, por kjo nuk do të thotë që neve të kërkojmë një diçka që është e ligjshme.

Një vendim pushimi që duhej marrë nga një gjyqtar paraprak, merret nga tre gjyqtar në vendim themeli dhe të mos jetë i ankimueshëm. Prandaj unë mendoj që kërkesa duhet të pranohet në bazë të nenit 408, gërma ç, e kodit të procedurës penale, çështja të kthehet për rigjykim.

Gjatë seancës gjyqësore kryesuesi i trupës gjykuese vë në pah edhe të metat e akt ekspertimit psikiatriko- ligjor që ka nxjerrë të papërgjegjshëm për kryerjen e veprës penale, autorin e saj.

Gjyqtari: Kjo sëmundje e pasqyruar në akt-ekspertim, për hir të së vërtetës në akt- ekspertim është pasqyruar vetëm me një konkluzion. Nuk ka historik, nuk ka anamnezë, historik familjar, ku është shfaqur, si është shfaqur, në ç`moment ka ndodhur? Ka qenë i shtruar i pandehuri ndonjëherë, është kuruar ndonjëherë nga kjo sëmundje? Akti i ekspertimit ka vetëm një intervistim që është bërë....

Pavarësisht gjithë debateve dhe kërkesës së prokurorit, gjykata e Apelit Gjirokastër pasi u tërhoq plot katër orë, për të marrë vendim, la në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Pas këtëj vendimi vëllai i viktimës u shpreh për "BOOM": Të gjithë si familjarë janë shqetësuar çfarë do bëhet. Vëllai vërtet iku, por ne kërkojmë drejtësi.Shpresojmë që gjykata e lartë të japë drejtësi, po nuk dha Gjykata e Lartë ne pastaj do të kërkojmë strehim politik, të ikim jashtë si fis, se pastaj ka vetëm vetëgjyqësi.

Alban Voda, 2 vjet pas vrasjes kërkon lirinë edhe nga spitali i burgut

Në kohën kur pranohet nga vetë prokurori i Apelit, por edhe gjyqtari i Apelit që ka pasur shkelje të procedurës, që i është humbur e drejta e ankimimit familjarëve, por del hapur edhe se gjyqtari nuk është i bindur për akt-ekspertimin, duke nënkuptuar në seancë se është i paplotë, pa prova që Alban Voda është i sëmurë, gjykata e Apelit thotë që nuk ka kompetencë ta rikthejë çështjen për rigjykim, por lë në fuqi vendimin e shkallës së parë, familjarëve ju mbetet të ankohen në Gjykatën e Lartë, sepse vetëm ajo mund të rikthejë çështjen për rigjykim në themel, sërish në shkallë të parë.

Por nga ana tjetër, Gjykata e Lartë nuk po funksionon, edhe pse ankimi është bërë. Këtë situatë po shfrytëzon Alban Voda, për të dalë në liri. Duke kërkuar rishikimin e masës.

Avokati Kondi Ilia: Ky rast është unikal në Shqipëri, por nga ana tjetër është dhe një precedent sa i përket, mënyrës si jepen raportet mjekësore nga instituti i mjekësisë ligjore, dhe ekspertët që përgatisin këto akte, të cilat janë vendimtare në lidhje me gjykimin. Sipas nenit 46 të kodit penal, gjykata është e detyruar që çdo vit të shoh kushtet e kësaj mase mjekësore dhe të revokoj atë.Nëse do të revokohej kjo masë mjekësore, që është detyrimi për të qenë në një spital psikiatrik për t`u kuruar, shtetasi Alban Voda, do të gjendej i lirë.

Duhet të theksojmë se duke qenë se ka pasur shkelje të rënda proceduriale, ne akoma nuk kemi zgjidhur themelin e kësaj çështje, nëse Alban Voda ka qenë i sëmurë nga ana mendore, apo jo kur kreu krimin dhe duhet të kuptojmë që mund të bëhet një raport tjetër mjeko-ligjor dhe kjo është një shenjë e keqe për drejtësinë për arsye se ky person nëse del nga burgu me këtë rrezikshmëri të lartë, se ka kryer një nga krimet më makabre, bëhet i rrezikshëm dhe për komunitetin. Sipas gjykatës ky person vuan nga skizofrenia paranoide, sëmundje shumë e rëndë, atëherë lind pyetja, si mund të zhduket një sëmundje e rëndë mendore për një vit?

Nëqoftëse ai nuk merr ilaçet dhe nuk kontrollohet, nga spitali psikiatrik, nuk ka një vendim gjykate për mjekim të detyrueshëm derisa të shprehet gjykata e lartë në lidhje me themelin, pra ka qenë i sëmurë, apo jo ky person, unë mendoj që është një precedent, shumë i rrezikshëm që ky person të dalë nga burgu, të jetë i lirë. Jemi të mendimit që Gjykata e Lartë do ta kuptojë më së miri, kushtet në të cilat është dhënë raporti mjeko-ligjor, në gjykatën e shkallës së parë Përmet, dhe të gjithë ata gjyqtarë që kanë dhënë vendime në këtë çështje, më saktë një pjesë e mirë e tyre janë shkarkuar dhe larguar nga vettingu.

Gjyqi për masën është data 15, pra të martën në Përmet.


EMISIONET