Rastet e apeleve për ndihmë shpesh herë shërbejnë si objektiv për mashtruesit. Ky është rasti edhe i familjes Çepele nga Roskoveci.

Emisioni investigativ "BOOM" në RTV Ora transmetoi me 18 shtator apelin për ndihmë të kësaj familje për djalin 39-vjeçar Bledi Çepele, baba i një vajze 4 vjeçare.

Familjarët kërkonin ndihmë nga Ministria e Shendetësiseë për ta kuruar në Turqi djalin e tyre, i cili kishte nevojë urgjente për transplant të palcës kurrizore.

Pas sensibilizimit që "BOOM"  i bëri rastit Ministria e Shëndetësisë mori përsipër  kurimin e 39-vjeçarit në Turqi. 

4 orë pas ndërhyrjes kirurgjikale, Bledi Çepele ndërroi jetë. Stafi i "BOOM" i shpreh ngushëllimet familjarëve për ndarjen nga jeta në moshe aq të re të Bledit.

Jo rastësisht, "BOOM" vendos ta transmetojë sërish këtë rast sot, për të denoncuar sesi familjarët e Bledi Çepeles ranë pre e mashtrimit në rrjetet sociale. 

Sapo u njohën me diagnozën e djalit dhe me faktin që duhej të kurohej në Turqi , familjarët filluan një fushatë në rrjete sociale për të mbledhur fonde që të mund të përballonin shpenzimet. 

Pikërisht ky ishte momenti që ranë pre e mashtrimitArben Çepele, djali i xhaxhait të Bledi Çepeles tregon se është kontaktuar në facebook nga një person që përdorte foton e profilit të Elvis Naçit, i cili i ka thënë se do të hapë një llogari në emër të Bledit që të mbledhë fonde.

Por si fillim, ai u ka kërkuar ti dergonin 1200 euro, dhe kjo shumë do ti kthehej përsëri pas disa ditësh familjes. I kanë nisur lekët, por kanë rënë viktimë e mashtrimit.

Arben Çepele: U futëm në rrjetet sociale dhe kërkuam ndihmë. Përmes saj na kanë mashtruar me 1200 euro, na nxorën foton e Elvis Naçit dhe thanë se jemi fondacion që mund tu ndihmojmë me 30% të vlerës së lekëve për rastin tuaj. Ajo quhej Pavlina Papa. Kërkuan 1200 euro për garanci, do na i ktheni pas një ore. Unë i kam mbyllur personalisht 1255 euro. U munduam ta merrnim na dilte telefoni dhe rrjetet sociale të mbyllura. Pavlina Papa jeton në Greqi, atje i dërguam lekë. Këta nuk janë njerëz, por kafshë. I bëftë ilaçe se lekë për ilaçe ishin. I bëftë ilaçe!

Si funksionon skema

Persona të pa identifikuar hapin faqe të rreme në emër të Elvis Naçit, duke u kërkuar njerëzve të ndryshëm tu dërgojnë shuma të konsiderueshme lekësh, duke u premtuar se kjo shumë duhet për të hapur një llogari ku më pas do depozitohen shumat e lekëve që i duhen familjarëve për të përballuar operacionin.

Për këtë rast skandaloz, "BOOM" ka vendosur të bëjë publik emrin e personit që i ka përfituar lekët me anë të mashtrimit.

Quhet Pavlina Papa dhe jeton ne Greqi. Kjo zonjë ka bërë tërheqjen e lekëve me kartë identiteti. 

Por ky nuk është një rast i izoluar. Të njëjtën skemë, mashtrues me profil falso në emër të Elvis Naçit kanë bërë  edhe me një nënë të re e cila donte te operonte djalin 9 muajsh nga zemra. I kanë kërkuar 1500 euro.

Fatushe Senja: Djali është me arterie të bllokuar dhe ka dhe tension të lartë të zemrës. Doktori më tha për operim. E kam çuar dhe te kunati në Greqi, e vizitoi doktori dhe tha duhet ta kishe bërë, sa më të vogël më mirë. Është një opsion me sondë tha. Në messenger kërkova për Elvis Naçin dhe i shkrujta. Më tha do ta marr djalin përsipër por do më dërgosh 1500 euro si TVSH. Tani jam në Greqi dhe mi dërgo këtu. Ja nisa, i mora borxh, ca mi dhuruan për djalin. I dërgova në emrin e Elia Papas, është gazetare e Elbasanit tha dhe është këtu me mua. Jemi bashkë. Ja dërgova lekët, ishte e dielë. Tha do të vinë gazetarët të flasin dhe nuk erdhën, na mashtruan. I shkrujta, më bëri bllok, që atë ditë nuk kam folur më.

"BOOM" i bën thirrje prokurorisë të vihet në lëvizje për një fenomen të tillë, ndërsa apelon qytetarët  të bëjnë kujdes me njerëzit që komunikojnë në rrjetet sociale.

/Ora News.tv/