Shqipëria vazhdon të ketë problemet me pronat. I tillë është edhe rasti i denoncuar në emisionin BOOM. Bëhet fjalë për shtetasin Josif Oga, i cili ka një problem me tokën që ka marrë me AMTP që në vitin 1991.

Ish komuna një pjesë të tokës së këtij, ja ka dhënë dikujt me qira, si tokë shtet, dhe për këtë është dënuar një nga punonjëset e ish komunës.

Ndërsa në vitin  2017 edhe njësia administrative ka hapur një rrugë, në pronën që pretendohet nga z.Oga dhe madje këtë rrugë e hap në mënyrë të paligjshme. Kjo rrugë është hapur me një vendim të këshillit të komunës të vitit 2013, por rruga është hapur jo në 2013, por në 2017, pas reformës territoriale, ndërkohë që ky vendim i këshillit të komunës nuk ka pasur asnjë vlerë në vitin 2017, pra ka qenë nul.

Zotëria thotë se kjo rrugë është hapur në paligjshmëri për t`i shërbyer vetëm një biznesi, një stalle bagëtish që ndodhet aty afër.

Pra shteti e ka dëmtuar dy herë këtë zotëri një herë ja ka dhënë një pjesë të tokës së tij, para disa vitesh me qira një banori tjetër, pra e ka trajtuar si pronë shtet dhe herën tjetër mbi pronën e mbjellë prej shumë vitesh nga z.Oga , pa bërë asnjë matje, nëse ishte në tokë shtet apo në pronën e tij, ka hapur një rrugë për t`i shërbyer një biznesi.

Josif Oga: Në vitin 1991 kur janë ndarë tokat kam fituar për 5 persona, 17 630 metra. Jam përpjekur të shkoj t`i regjistroj. Përplasja ime me institucionet ka filluar në vitin 2010, kur ish-komuna Shirgjan i ka dhënë një fshatarit tonë një parcelë timen, dy dynym e gjysmë tokë pa certifikatë pronësie, e ka lejuar ta mbjell ullinj dhe ka marrë dhe subvencione ai. Unë për këtë padita ish- komunën në prokurori. Procesi shkoi deri në gjyq dhe për të dënuar u dënua agronomia e ish- komunës me dy vjet burg e konvertuar në 80 orë punë në komunitet. Në 2013 ish komuna merr një vendim të hapet një rrugë pa përcaktuar as numër parcele, as studime, as preventiva. Kishin ardhur aty për të hapur rrugën, shkoi te kryetari i komunës dhe i them nuk janë këto kushtet që duhet të hapësh rrugë, dhe unë pretendoj që kjo parcela është imja. Jo, nuk është e jotja. Aty kam mësuar unë që parcela ishte ndarë për gjysmë. Pastaj më thanë dhe në hipotekë, 1680 veç dhe 680 veç.

U la në heshtje për 4-5 vjet. Në 2017 më merr ne telefon administratori, hajde se po hapet një rrugë ke toka jote. Pas një ore erdha ishte hap ishin prish shtyllat, rrushi ishte prish. Ajo është hapur në bazë të një vendimi. Vendimi nuk kishte as firmën e kryetarit të bashkisë Qazim Sejdini, por kjo ishte një letër e gjetur në arshivën e 2013 kur është anuluar nga ish kryetari.

Kjo rrugë i shërben vetëm atij të deleve. Këta nuk më lejojnë as ta rrethoj pronën me certifikatë, as të shmang atë tjetrin. As të mbylli rrugën aty dhe të më japi atë 680 metrëshin.

Gazetarja e BOOM komunikoi përmes telefonit me Administratorin e Njësisë Shirgjan, pasi ka qenë pikërisht vendimi i ish-komunës i vitit 2013 ai që është marrë për bazë në lidhje me hapjen e kësaj rruge në 2017 në mënyrë të jashtëligjshme. Ky vendim në 2017 ka qenë nul, pas reformës territoriale.

Ylli Dushku, Administrator i Njësisë Administrative Shirgjan: Është një vendim i këshillit të komunës që ka qenë i mëparshmi, që unë s`kam qenë. Është një vendim i prefekturës. Shkoni është konfirmim prefekti atje. Është hapur, e ka hapur IMT-ja e bashkisë dhe nuk është mbyllur.

Gazetarja: Me kërkesën tuaj apo jo?

Ylli Dushku, Administrator i Njësisë Administrative Shirgjan: Jo, jo me kërkesën time. Me vendimin e këshillit të komunës dhe konfirmimin e prefekturës.


Gazetarja: Kujt i shërben njëherë, se mesa pashë unë ajo i shërbente vetëm një biznesi, një stalle.

Ylli Dushku, Administrator i Njësisë Administrative Shirgjan: Ato janë një grup banorësh që i shërben.

Drejtori i IMT, pranë Bashkisë Elbasan, e fakton këtë shkelje. Nga ana tjetër ai thotë ne nuk kemi hapur rrugë por hapësirë publike.

Leli Kraja, kryeinspektor i IMT Bashkia Elbasan: Në lidhje me rastin e z.Oga, kemi pasur një njoftim, nga njësia administrative Shirgjan,na kanë kërkuar dy- tre inspektor për hapjen e një rrugë, hapësirë publike, pasi kërkohej nga disa banorë aty. Kemi dërguar inspektorët dhe është bërë hapja e hapësirës publike. Z.Oga ka ngritur pretendime pas hapjes së kësaj rruge ose kësaj hapësire publike që unë këtë e kam me tapi. Nga ana jonë i kemi thënë që është bërë vetëm hapja e hapësirës publike, në rast se pretendoni se ju kemi cënuar pronën mund t`i drejtoheni organeve kompetente.

Gazetarja: Komuna në 2013 ka nxjerrë një vendim për hapjen e kësaj rruge, ndërkohë ky vendim është ekzekutuar në 2017 , këto vendime nuk janë më të ekzekutueshme pas reformës territoriale, sepse kompetencat i kanë kaluar bashkisë. Si është vepruar në paligjshmëri?

Leli Kraja, kryeinspektor i IMT Bashkia Elbasan: Ligjërisht çdo vendim para reformës territoriale, që të ekzekutohet tani duhet bërë titull ekzekutiv me vendim gjykate, pasi ligjërisht ka rënë poshtë. Ne kemi ikur në mbështetje për hapjen e një hapësire publike, nuk kemi ikur për të hapur një rrugë me vendim të 2013-ës.


Gazetarja: Keni pas në terren specialistë që të përcaktonte ku ishte kufiri i zotit Oga dhe ku ishte pjesa shtesë se mund te keni cënuar dhe pronën e z.Oga?

Leli Kraja, kryeinspektor i IMT Bashkia Elbasan:  Hapjen e kësaj rruge e ka ndjekur njësia administrative Shirgjan dhe për më shumë informacion duhet t`i drejtoheni kësaj njësie. Ne jemi të gatshëm ta mbështesim z.Oga për të rrethuar pronën që disponon me certifikatë pronësie. Ne shkojmë dhe masim në bazë të certifikatës së pronësisë që ka z.Oga dhe aty do bëj rrethimin. Nëse rrethimi del mbi rrugën që ka hapur njësia administrative Shirgjan atëherë mund ta përfitoj z.Oga prapë, ta rrethoj prapë, kjo do dali gjatë kohës që ne do bëjmë mbështetjen që z.Oga të rrethoj atë që ka me certifikatë pronësie.

Gazetarja: Mund t`ju bëj një pyetje. Procedura që kam kuptuar unë që është kërkuar të bëhet, a është të bëhet matja në bazë të parcelës së zotërisë dhe të rrethohet prona e zotërisë?

Inspektori i IMT Elbasan: Është e drejta e personit ta bëj.

Gazetarja: Po ku është problemi tani, unë këtë se kuptoj.

Inspektori i IMT Elbasan: Problemi është, kjo është hapësirë publike.

Gazetarja: Tani nga matja si del?

Inspektori i IMT Elbasan: Matja, e ka sipër rrugës.

Gazetarja: Ku, në ç`vend? E keni matur juve? Atë atje kush e ka hapur?Kush e ka hapur atë atje?

Inspektori i IMT Elbasan: Ky zotëria e ka hapur.

Gazetarja: Po ju me matjet tuaja ku i keni vënë piketat, këtë s`po kuptoi unë?

Inspektori i IMT Elbasan: Tani, jashtë rruge.

Gazetarja: Jo jashtë rruge, ku?

Inspektori i IMT Elbasan: Në qosh të rrugës pra.

Gazetarja: O zotëri ajo nuk mund të jetë në qosh të rrugës, ajo është atje ku bie nga matja.

Inspektori i IMT Elbasan: Është anash rrugës,

Gazetarja: Ku është matur, e keni matur juve, kush e ka matur zotëri?

Denoncuesi: Ishte këtu kur e mati topografi.

Gazetarja: Ku bie?

Inspektori i IMT Elbasan: Të rrethoj sipërfaqen e pronës së vet, jo hapësirën publike.


Gazetarja: Ku bie?

Inspektori i IMT Elbasan: Bie te prona e vet, lart.

Gazetarja: Ku mo zotëri, ku, po këtu kush i ka vënë piketat?

Inspektori i IMT Elbasan: Anash hapësirës publike.

Gazetarja: Po ju i keni kërkuar vetë zotit Josif të marrë topograf privat dhe ky e ka paguar privatisht, ka ardhur ka bërë matjet, ka vënë piketat, tani ju thoni nuk janë këto piketat. Kështu thoni ju, sepse këtu i bie në rrugë. Po e ka thënë topografi këtë mo zotëri, nuk e ka thënë ky as unë.

Inspektori i IMT Elbasan: Kjo shfrytëzohet si rrugë për banorët.

Inspektori i IMT Elbasan: Këtu nuk do të jetë. Do të jetë tek kjo.

Gazetarja: Ku është matja?Pse ja jep 1.20 këtej ti, nëqoftëse s`del ai andej 1.20?

Inspektori i IMT Elbasan: Tani ne kemi komunikuar me njësinë, me punonjësit e njësisë, me kryetarin e njësisë, me agronomin. Është konkluduar që ajo aty është hapësirë publike.

Falënderimi i denoncuesit: Sot me ndihmën tuaj se unë kam dy vjet që në qershor 2017 dhe sot që erdhën këtu, ka qenë dita e fundit që mbarova një pjesë të hallit, faleminderit ju Ora News dhe IMT.

Gazetarja: Prona me certifikatë pronësie kalon në një pjesë të rrugës, po atëherë nuk bën matje kur u hap rruga?

Falënderimi i denoncuesit:  Jo, nuk bën matje ata fare, prun fadromën, nuk bën matje.

Pas një viti edhe pse e rrethova unë me leje erdhën prapë e hapën, unë nga kjo ca kohë u tërhoqa, tani me daljen e ligjit të ri, për ta regjistruar pronën se unë nuk jam plotësuar me tokë, jam 1700 metra mangët, kërkoj të regjistrohet dhe kjo pjesë, pavarësisht për bashkëfshatarët e mi, mund të merremi vesh për rrugën.

Të paktën zotëria rrethoi pronën e tij me certifikatë pronësie, që kishte dy vjet që nuk po e bënte dot.

/Ora News.tv/