BOOM: Shqipëria vendos barriera, kontenieri me ndihma për spitalet mbetet i bllokuar

Emisioni BOOM ka denoncuar se një ngarkesë me ndihmë humanitare për spitalin e Kavajës është bllokuar në doganën e Portit të Durrësit.

Bëhet fjalë për organizatën humanitare amerikane Project CURE e cila dërgon ndihma dhe pajisje mjekësore falas në spitale që kanë nevojë nëpër botë, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Vullnetarja shqiptare, Ina Farka promovoi veprimtarinë e Project CURE dhe së bashku me diasporën shqiptare arritën të mblidhnin shumën e nevojshme për vizitën e ekspertit dhe transportin e ndihmave.

Vizita u krye në spitalin e Kavajës, në spitalin e Maliqit dhe në 6 klinika përreth qarkut të Korçës, në Mars 2018.

Gjatë kësaj vizite, eksperti i Project Cure u takua edhe me Ministren e Shëndetësisë dhe i ofroi ndihmë edhe për spitalet, klinikat e tjera në Shqipëri.

Ndihmat për spitalin e Kavajës nuk zhdoganohen

Në nëntor 2018, vullnetarja Farka ka njoftuar nëpërmjet një shkrese të protokolluar, Ministren e Shëndetësisë për nisjen e kontenierit me ndihma për spitalin e parë në Shqipëri, atë të Kavajës, duke i kërkuar të kujdesen për procedurat e zhdoganimit sipas legjislacionit ne fuqi, i cili përjashton ndihmat humanitare në emër të enteve publike nga detyrimet tatimore si dhe për transportimin e tyre në destinacion që është spitali i Kavajës.  Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka nxjerr një udhëzim, duke vendosur kështu një barrierë edhe për ardhjen e ndihmave humanitare në Shqipëri. Udhëzimi është kufizues, kundër interesit publik.

Ministria e Shëndetësisë, asnjë masë për procedurat e zhdoganimit

Pas marrjes së këtij komunikimi zyrtar që në nëntor, që ndihmat u nisën drejt Shqipërisë, ministria e Shëndetësinë nuk ka marrë asnjë masë në lidhje me përgatitjen e procedurave të zhdoganimit e këtyre ndihmave teksa ato po i drejtoheshin Shqipërisë. Kështu kontenieri ka ardhur plot me mallra dhe ndodhet në portin e Durrësit duke pritur që nga 10 janari të zhdoganohet, kujtojmë këtu që do paguhet dhe çdo ditë vonesë për zhdoganimin.

Por çfarë ka ky kontenier brenda?

Lista e pajisjeve që kanë mbërritur ditët e para të janarit në portin e Durrësit është e gjatë: Disa prej tyre janë Audiometër, defibrillator , elektrodat e EKG, incubator për të porsalindurit , monitor fetal, fetusi, otoskop, oksimetër, transformatorë, kulla e endoskopisë, mbulesa krevatësh dhe peshqirë, karrocë, paterica, makinë trerapie fizike , tavolina, karrike me rrota shiringa, pajisje terapie fizikem, mbulesa sterile etj.

 Drejtori i spitalit Kavajë Përparim Daiu thotë se materialet janë bllokuar në doganë për shkak të një pagese prej 2600 dollarësh

 Drejtori i spitalit Kavajë Përparim Daiu: Përsa i përket shoqatës humanitare, Project Cure, ato kanë ardhur para 5 -6 muajsh në spitalin tonë. Kanë marrë informacionin e duhur për spitalin tonë, i kanë parë edhe vetë, kanë marrë informacione edhe tek doktorët. Morën me vete listën e nevojave, sepse këto ndihma nevojiten shumë, pasi ka nevoja nga më të ndryshmet. Këtu gjej rastin të falenderoj Projet Cure dhe për transportimin e këtyre ndihmave diasporën shqiptare, ku mund të veçoj Ina Farkën, vullnetarë në kontakt të vazhdueshëm me ne për çdo problem që kemi pasur gjatë këtyre muajve. Kemi bërë dhe kërkesat tona lidhur me zhdoganimin e këtyre materialeve mjekësore dhe na kanë kthyer këtë përgjigje:

"Pas shqyrtimit të kërkesës suaj ju informojmë se kërkesa juaj për përjashtim nga detyrimet e importit , nuk gjen mbështetje ligjore lidhur me mallrat për të cilat kërkohet përjashtimi".


Kemi arritur në përfundimin që do bëhet një pagesë, shuma është rreth 2600 dollarë, është pjesë e TVSH-së. Me miratimin e ministrisë kemi dy variante edhe nga buxheti, por edhe nga të ardhurat dytësore, të ardhurat dytësore gjithmonë janë me miratimin nga ana e ministrisë së Shëndetësisë. Kjo është e fundit si zgjidhje.

Drejtoria e Doganës Durrës, asnjë sqarim mbi udhëzimin

Në korrespodencën që spitali Kavajë ka pasur me drejtorinë e doganës Durrës , ku qëndron dhe kontenieri prej ditëve të para të janarit me ndihmat humanitare për këtë spital thuhet: "Ju bëjmë me dije se mbështetur në udhëzimin numër 1 të datës 3 janar 2018 mbi operacionet e privilegjuara pika 8, mallra që importohen në kuadër ndihmash humanitare, përcaktohet objekti i përjashtimit, ku citohet: Nevojat bazë për të plotësuar nevojat elementare të qenies njerëzore si përshembull: Ushqime, barna, veshje, shtresa ose mbulesa krevati, ambulancë për qendrat shëndetësore dhe zjarrëfikse për institucionet përkatëse. Pra vetëm këto lejohet të hyjnë pa paguar TVSh si ndihma humanitare në Shqipëri

Për sa më lart pas shqyrtimit të kërkesës suaj dhe dokumentacionit bashkëlidhur, ju njoftojmë se kërkesa juaj për përjashtim nga detyrimet e importit nuk gjen mbështetje ligjore, lidhur me mallrat për të cilat kërkohet përjashtimi. Në lidhje me detajet e këtij udhëzimi, se përse ky udhëzim ka përcaktuar këtë target grup të mallrave që përjashtohen nga pagesa e TVSH-së.

Drejtori: Ky udhëzim është i drejtorit të përgjithshëm të doganave dhe është i mbështetur në ligjin e TVSH -së.

Gazetarja: Pse është kufizuar kaq shumë, a jemi ne një vend që kemi një zhvillim kaq të madh sa të vëmë kufizime të tilla, edhe nëse duan të japin donacione për Shqipërinë?

Drejtori: Nuk e di, nuk di ça të them.

Gazetarja: Dua të kuptoj pak logjikën e këtij udhëzimi. Keni ndonjë informacion, për çfarë arsye, se duket sikur krijon një barrierë? Apo gabohem?

Drejtori: Nuk di ça të them.

Gazetarja: Përpara këtij udhëzimi, pra në 2018, hapsira ishte e lirë, pra pyes nësë mund të vinte çdo lloj ndihme humanitare në Shqipëri?

Drejtori: Jo, asnjëherë s`ka qenë e lirë.

Gazetarja: Ka qenë e kufizuar gjthmonë?

Drejtori: Jo,nevojitej një autorizim.


EMISIONET