"BOOM" ndërmjetëson me Bashkinë për strehimin e 52-vjeçarit në Patos

Barjam Meraj është një 52-vjeçar i pastrehë,  i cili banon në qytetin e  Patosit.

Pas një aksidenti në punë para disa viteve, ai ka statusin e invalidit të plotë të punës  dhe me  paratë që  i përfiton nga KEMP-i nuk e përballon dot jetesën në një banesë të cilën e ka në ruajtje bashkë me disa familjarë të tjerë.

Në të tilla kushte, pas kërkesave të drejtuara në bashkinë e Patosit për të përfituar strehë, pasi ka statusin e të pastrehut, bashkia në 2014 ka miratuar një listë me përfituesit ku bën pjesë edhe qytetari Barjam Meraj.

Ai  i është drejtuar emisonit “BOOM” në  Rtv Ora News me pretendimin se bashkia e Patosit e sorollat dhe ai ka frikë se do të mbetet jashtë, pasi jetesa për një kohë të gjatë në banesën  në ruajtje nuk është e sigurtë, duke qenë se nuk është pronë e tij.

Fakti që deri më sot nuk ka përfituar është se kjo bashki nuk ka disponuar banesa sociale, pavarësisht nevojave.

Aktualisht është duke u rikonstruktuar një pallat ku do të trajtohen rreth 16 familje. Për shkak se sipërfaqet janë  të përshtatshme për familjarë, qytetari nuk përfiton.

Ndërkohë bashkia ka aplikuar tek Enti i Banesave që të ndërtojë 3 objekte për strehimin social në Patos, por  derisa kjo të bëhet e mundur, Barjami do të sistemohet në një banesë më qira  që ose do ta gjejë vetë, ose do ta gjejë bashkia.

Kryetarja e Bashkisë Patos, Rajmonda Balilaj, pasi ofroi tre alternativa  për strehimin e Barjamit, pohoi se më e mundshmja momentalisht është që Barjami të sistemohet në një banesë ku bashkia do të paguajë 50 përqind të qirasë dhe 50 përqind do ta paguajë qytetari.


EMISIONET