BOOM: Me vajzën invalide, dy prindër të moshuar sorollaten për një kartë identiteti

Kamera e emisionit BOOM ka shkuar në fshatin Perondi të Kuçovës, aty ku dy të moshuar kujdesen për vajzën e tyre invalidë.

Dy prindërit kanë disa shqetësim, që nga institucionet e shtetit nuk po marrin zgjidhje.

Babai i vajzës thotë se nuk ka mundësi që ta çojë vajzën në bashki për të rinovuar kartën e identitetit. Ndërsa punonjësja e zyrës Aleat i ka thënë që të shkojë në Tiranë për të marrë një sqarim.

Asqeri Kapedani: Unë kam marrë z.Klodi gazetarin për problemin që kam me gocën, problem kam për kartën e identitetit që unë nuk e çoj dot në bashki në Kuçovë për ta rinovuar, se para 10 vjetësh ne e kemi pasur këtë zyrë këtu në komunë në Perondi, për arsye dhe largësie dhe mosha që kemi ne dy prindërit, që jemi unë 72 dhe gruaja 70 vjeç. Vajza është e paralizuar, para dhe tetraplegjike, grupi i parë. Nuk e çoj dot për të bërë rinovimin. Dy djemtë i kam jashtë ata kanë jetën e tyre, kanë fëmijë, nuk mund t`ju them dot hajdeni ju këtu se kam unë hall. Vajta u interesova tek ajo zonja atje dhe më tha xhaxhi do ta biesh këtu se s`ka rrugë tjetër. S`kam se si të veproj tha jashtë ligjeve.


Një tjetër shqetësim për dy të moshuarit është rruga e prishur. Kjo e bën të vështirë që vajza të lëvizë me  karrocë.  Babai i saj lutet autoriteteve të paktën ta shtrojnë me çakull. Theksojmë që punonjësja e aleat kur zotëria ka shkuar i ka thënë do e sillni vajzën këtu se nuk ka rrugë tjetër.

Asqeri Kapedani:  Plus problemeve që ju thashë që kam brenda kam vështirësi dhe këtu tek rruga. Siç e shikoni me karrocën e gocës unë nuk e qarkulloj dot gocën sepse rruga është copë - copë. Prandaj e kërkoj edhe këtë që ka mundësi që të shtrohet kjo rrugë me çakull të paktën. Mirë me asfalto- beton nuk paska fond, po me çakull, shiko si është! Dhe kjo qameti është 1.5 km.


BOOM shkoi bashkë me zotërinë në zyrën e kompanisë Aleat në Kuçovë. Edhe pse gazetarja Arjana Loce i kërkoi një sqarim, punonjësia i tha se keni ardhur paftuar. Ndërkohë punonjësja i tha denoncuesit që të shonte të sqarohej në Tiranë.

Zyra e Aleat, Kucovë: Tani ju keni ardhur pa ftuar këtu.

Gazetarja: Unë po të kërkoj vetëm një sqarim, nuk po të kërkoj intervistë.

Zyra e Aleat, Kucovë: Po, pra sqarimi është ky që po të them. Nuk kam autorizim as për të pyetur, as të komunikoj, as të xhirosh. Atëherë kamerën të lutem ta fiki zotëria. Edhe ta heqi dhe atë xhirimin që ka bërë.

Gazetarja: Të lutem nxirre kamerën jashtë!Në rregull. Ju edhe para dhe tetraplegjikun doni që t`ju a sjellin këtu, pra ju nuk ofroni shërbim për këta persona, jashtë zyrës (në shtëpi)? 

Zyra e Aleat, Kuçovë: Është kompetencë e shtetit, të lutem, nuk mund të flas.

Gazetarja: Kompetencë e shtetit, e kujt?

Zyra e Aleat, Kuçovë: Nuk mund të flas, se nuk kam autorizim.

Gazetarja: Po iki unë, sqaroje zotërinë.

Zyra e Aleat, Kuçovë: Zotërinë e sqaroi veçantë.

Denoncuesi: Kam ardhur kam pyetur dhe ju kam thënë… dhe keni thënë do ta bini këtu gocën.

Zyra e Aleat, Kuçovë: Nuk ke ardhur tek unë zotëri. 

Denoncuesi: Po tek kush kam vajtur ?

Zyra e Aleat, Kuçovë: Nuk ke ardhur tek unë zotëri!

Denoncuesi: Ku kam vajtur pastaj?

Zotëria del nga zyra pasi foli me punonjësen

Denoncuesi:  Më tha do vesh te Zyra Qendrore e Gjendjes Civile në Tiranë dhe ata mund të japin përgjigje për të tilla raste. Kaq kam kompetencë të jap sqarim ty. Ata të sqarojnë ty tha, unë s`kam të drejtë tha.

Gazetarja: Të paktën nuk pranoi të më sqaronte mua po ju e ka detyrim ligjor t`ju sqaroj për procedurën.

Denoncuesi:  Kaq më tha do vesh te zyrat qendrore të gjendjes civile Tiranë.

Meqë punonjësja e Aleat në bashkinë e Kuçovës nuk pranoi ta sqaronte qytetarin, po i tha shko sqarohu në Tiranë, BOOM telefonoi zyrën e Aleat në Tiranë.  Ata thanë që është detyrim i punonjëses së zyrës së Aleat Kuçovë të bëj gjithë sqarimet dhe ky shërbim mund të ofrohet edhe në shtëpi për këtë kategori, si dhe na shpjegoi procedurën që duhet ndjekur

Gazetarja: Përshëndetje!

Zyrat qëndrore të Aleat, Tiranë:  Përshëndetje!Urdhëro!

Gazetarja: Kompania Aleat?

Zyrat qëndrore të Aleat, Tiranë: Po.

Gazetarja: Kemi një situatë në qytetin e Kuçovës në lidhje me një vajzë që ka statusin e para dhe tretraplegjikes për riaplikim për kartë identiteti. Të dy prindërit e vajzës janë të moshuar dhe nuk kanë asnjë njeri për ndihmë në mënyrë që edhe ta lëvizin, ta afrojnë tek zyrat e kompanisë Aleat pranë bashkisë së Kuçovës. Ka ndonjë parashikim ligjor për të ofruar ndonjë lehtësi në lidhje me këtë rast, për të ofruar një shërbim ndoshta në shtëpi doja t`ju pyesja?

Zyrat qëndrore të Aleat, Tiranë:  Po. Shërbimi që ofrohet nga Aleati është një kërkesë e cila bëhet në Ministrinë e Brendshme, Zyrën e Përgjithshme të Gjendjes Civile. Punonjësit e Aleat sigurisht që vijnë dhe bëjnë një aplikim në shtëpi, por për të bërë këtë qytetari duhet të bëj dhe aplikim pasaporte dhe aplikim karte. Mund të flisni edhe me operatoren e Aleat e cila ndodhet në zyrën e Kuçovës, e cila ju jep sqarime të mëtejshme. 

Gazetarja: Po nuk na ka dhënë, prandaj ju drejtuam juve. Ajo thotë shkoni në Tiranë merreni informacionin. Tani do vijnë zotërinjtë përveç hallit që kanë deri në Tiranë për të marrë një informacion?

Denoncuesi: Unë i thashë asaj operatores atje dhe ajo tha do drejtohesh tek Zyrat e Gjendjes Civile në Tiranë dhe ata mund t`ju sqarojnë juve. Kaq dhe dil përjashta.

Zyrat qëndrore të Aleat, Tiranë: Jo, jo operatorët tanë nuk komunikojnë kështu me qytetarët dhe kjo është e sigurtë. 

Denoncuesi: Vajza si do ta hedhi firmën?

Zyrat qëndrore të Aleat, Tiranë: Atëherë për këtë asiston prindi.

Denoncuesi: Ja këtë informacion desha.

Gazetarja: Besoj që tani që e morët do ndiqni rrugën ligjore dhe pse jo do të merrni një zgjidhje

Po do ta ndjek në rrugë ligjore Faleminderit që erdhët dhe do na jepni zgjidhje më tutje nëse unë do ngec rrugës.

Faleminderit!

I moshuari kërkon kujdestare ligjore për vajzën e sëmurë

Zotëria kishte dhe një hall tjetër të madh. Duke qenë se janë dy të moshuar, kërkonin një kujdestare për vajzën, që t`i shërbej asaj pasi fuqia po i lë dhe duan që vajzën ta kenë në duar të sigurta. Me të dëgjuar hallin e tyre gazetarja e drejtoi zotërinë te zyra e punës në Kuçovë, ku së bashku morën dhe premtimin e drejtoreshës se shumë shpejt kjo zyrë do t`i gjej edhe kujdestaren ligjore për vajzën e sëmurë dy të moshuarve.

Denoncuesi: Kam dhe një shqetësim për gocën që nuk gjej dot një njeri që t`i shërbej. Kujdestarinë e ka gruaja që është në moshën 70-vjeçare t`ja hedh personit që do i shërbej dhe të marri dhe siguracionet. Ta paguaj dhe nga xhepi. Të marri kujdestarinë plus do t`i vë lekë dhe nga xhepi se nuk i del kujdestaria, kujdestaria është 100 mijë lekë. Unë do t`i vë dhe 100 mijë lekë nga xhepi që t`i shërbej.

Marilda Metaj, Drejtore e Zyrës së Punës Kuçovë: Duke dëgjuar rastin e zotërisë, ne si zyrë pune jemi shumë të gatshëm ta ndihmojmë zotërinë duke gjetur një person të përshtatshëm për problemin që ai ka dhe mbeta shumë e kënaqur edhe nga ju që ju gjetët zyrën e punës për të zgjidhur këtë problem që është parashtruar nga zotëria se me këtë rast ne kemi mundësi të rrisim edhe një punësim në qytetin e Kuçovës. Në zyrën vendore të punësimit Kuçovë numri i të papunëve është 685 vetë e megjithatë ka prurje. Shumica prej tyre janë gra dhe kjo që ju parashtroni ne na krijon mundësinë e punësimit të një gruaje. Kemi gra të cilat janë të kualifikuara në këtë fushë, për kujdestari ndaj personave me aftësi të kufizuara dhe ne te ky kontingjent do mundohemi ta gjejmë.


EMISIONET