BOOM: Kryebashkiakja e Gramshit nuk mban premtimin, lë fshatin pa ujë

Emisioni "BOOM” trajtoi shqetësimin e banorëve të fshatit Cingar në lidhje me mungesën e ujit të pijshëm.

Sipas tyre rezulton të jetë një premtim i pambajtur ai i kryetares së Bashkisë Gramsh, Luljeta Dollani, për zgjidhjen e këtij problemi.

Banori: Ujin e kemi nga burimi, nuk kemi Ujësjellës fare. Uji këtu është i papijshëm, mbushim me gomar.


Banorja: Fshati është dobët për ujin. Në pus marrim për të pirë. Bashkia ka thënë do sjellim, do sjellim, nuk e kanë sjellë.

Kryeplaku: Problem është uji i pijshëm, kemi kaq vite dhe nuk kemi ujë për të pirë. Akoma nuk e kanë zgjidhur. Gjithë fshati, 60 familje pa ujë. Premtime kemi marrë shumë dhe asgjë nuk kanë bërë. Deri tani kanë pasur burim, fillon vapa dhe nuk kanë më. Mbushin me makina në Gramsh se nuk kanë ku pinë.

Përveç deklaratave të banorëve, e shkruar e zeza mbi të bardhë ky premtim është bërë nga ana e zonjës Dollani edhe në një intervistë të publikuar në median online.

Luljeta Dollani: “Për fshatrat së bashku me grupet e interesit kemi hartuar një database të plotë për gjendjen aktuale të ujit të pijshëm në to. Me një plan të detajuar në fund të mandatit të parë, referuar edhe resurseve të bollshme që ka rrethi jonë me ujë të pijshëm ta zgjidhim përfundimisht furnizimin me ujë të pijshëm për çdo banorë të kësaj bashkie të madhe.”

Ajo që tregon hapur braktisjen e fshatrave nga bashkitë e mëdha pas reformës territoriale, është deklarata e Drejtorit të Ujësjellësit Gramsh, i cili deklaron se ky fshat nuk është në listën e fshatrave që kjo ndërmarrje mbulon me shërbim.

Drejtori i Ujësjellësit Gramsh: Në lidhje me Ujësjellësin e fshatit Cingar nuk e kam në zonën e shërbimit si Ujësjellës sepse ai Ujësjellës që është aty ka qenë dhuratë e një shoqate.Çfarë më ka dhënë Këshilli i Bashkisë mbuloj. Ai ka qenë kontribut dhe e administrojnë vetë banorët. Edhe kur ka qenë komuna nuk administrohej nga komuna.Problemi qëndron se nuk ka burim. Ata kanë një pretendim diku në fshatrat e Elbasanit, pjesë e Zavalinës, por fshatarët atje nuk lejojnë që në zonën e tyre të marrin ujë.

Për të kuptuar nëse Bashkia e kishte vënë në listë zgjidhjen e këtij problemi, të paktën për 4 -vjeçarin e ardhshëm, "BOOM" pyeti edhe në Drejtorinë e Infrastrukturës, pranë Bashkisë Gramsh, ku Drejtori deklaroi se për këtë fshat nuk ka asnjë projekt për Ujësjellës.


EMISIONET