Mungesa e infrastrukturës rrugore pengon fermerët e fshatit Hoxhaj të Njësisë Administrative Vërtop, të Bashkisë PoliÇan, të kryejnë shërbimet e tyre nëpër tokat bujqësore.


Në mungesë të rrugës normale ku të kalojnë mjetet e punës, prodhimet i transportojnë me mjete rrethanore .

Banorët: “Nuk kemi ku të kalojmë. Duam rrugë.”


Një fermerë, së bashku me djalin e saj, është detyruar të presë grurin me drapër pasi autokombajnat nuk shkojnë deri në arë.

Fermere: "Gruri iku, mua vetëm kashta më mbeti tani, kashtën do marr."


Disa muaj më parë, nisi një investim për rregullimin e rrugës , por u la përgjysmë.

Kontaktuar në telefon nga emisioni investigativ Boom, kreu i Njësisë Administrative u shpreh se kjo ndodhi për shkak të një problemi të  sistemimit të ujit të pijshëm  dhe ujërave të zeza. Por sipas tij, do të vazhdohet të punohet deri në sistemimin e rrugës, duke qenë se është përcaktuar edhe fondi përkatës për këtë investim.

"Ai investim po vazhdon. Problemi është se kanë dalë këto ujërat e bardha, uji i pijshëm dhe ata (Ujësjellësi ) e kanë tjetërsuar se ne i hodhëm ca inerte më përpara. Po luftohet tani për të rregulluar edhe ujin e pijshëm, edhe rrugën,"-tha ai.

Nga ana tjetër, Ndërmarrja e Ujësjellësit në Poliçan, sqaroi se nuk është në dijeni të ndonjë investimi në këtë rrugë. Sipas drejtorit të këtij institucioni, puna të vazhdojë  dhe se nuk ka asnjë pengesë për sistemimin e ujërave.

“Nuk kemi lidhje fare me atë pjesë dhe nuk jemi bërë pengesë për investimin. Nuk jemi në dijeni,"-tha ai.

/Ora News.tv/