BOOM: Edhe shërbimet funerale në rrethe ofrojnë ambulanca

Emisioni Boom edhe sot ka denoncuar aktivitetin e paligjshëm të autoambulancave private , të cilat ofrojnë shërbime mjekësore të palicensuara.

Ashtu si në Tiranë, edhe në rrethe ky aktivitet i paligjshëm është në pronësi të agjencive funerale.

Rasti i sotëm vjen nga Vlora. Për këtë ambulancë pronari ka bërë dhe një reklamë në internet. Kur vjen puna për stafin ai zbulon se merr mjekë nga spitalet shtetërore kundrejt një pagese për të bërë shoqërimin e pacientit.

Për të bërë transportin e një të sëmuri nga Vlora në Tiranë duhen 330 mijë lekë. 50 mijë kërkon mjeku, 250 ambulanca dhe  30 mijë infermieri.

Boom: Interesohem për një ambulancë, ju keni një ambulancë private, ofroni shërbim?

Pronari i ambulancës: Po.

Boom: Ma dha dikush këtë numrin tuaj.

Pronari i ambulancës: Po.

Boom: Doja të të pyesja nga Vlora në Tiranë, sa kushton?

Pronari i ambulancës: Ça ka pacienti?

Boom: Ka kaluar një ishemi të rëndë.

Pronari i ambulancës: Po infermierin do ta paguani ju apo do ta marrë unë infermierin tim?

Boom: Tani ju keni staf apo jo, se unë nuk e di sesi ?

Pronari i ambulancës: Unë kam dhe staf dhe doktor dhe infermier të spitalit.

Boom: Të cilit spital i ke ti?

Pronari i ambulancës: Të spitalit shtetëror.

Boom: I ke të spitalit shtetëror? Po kur i merr ti si i ke do t`i paguash ti ata?Do e kesh brenda çmimit tim apo do t`i paguaj unë më vete?

Pronari i ambulancës: Po. Po qe se do biesh dakord ti, bien dakord me ty ata, do t`i paguaj unë, i paguaj unë. S`ka ndonjë gjë kushedi të madhe.

Boom: Kë ke ti nga ata aty, nga ata te neurologjia i ke?

Pronari i ambulancës: Po.

Boom: Kë ke aty?

Pronari i ambulancës: Po tani… unë kam doktorin dhe infermierin. Ti po qe se ke njeri, doktorin dhe infermierin tënd, ça rëndësie ka.

Boom: Po unë ku e gjeta doktorin dhe infermierin tim, unë vetëm nëqoftëse ju propozoj këtyre që të vijnë këta të na shoqërojnë.

Pronari i ambulancës : Po dhe unë ata marrë. Po qe se ju jep një kafe atyre, ja ajo është, e njëjta gjë. Edhe ata vijnë s`ka nevojë që të futem unë lajms. Mua do më japësh 250 mijë lekë atyre do ju japësh nga 50 mijë lekë.

Boom: 50 ata. Dhe infermierja 50 dhe mjeku 50?

Pronari i ambulancës: Jo, 50 merr doktori dhe 30 merr infermieri.

Boom: Po i ke të gjitha këto, me oksigjen nëqoftëse ka ndonjë komplikacion?

Pronari i ambulancës: Makina është e 2011-ës, me reanimacion brenda. S`ka as në Tiranë , as një Vlorë si ajo ambulancë.

QKB jep vetëm NIPT, jo licencë

Bashkëpunëtori i BOOM u interesua edhe pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit ku i thanë se këtu pajisesh vetëm me NIPT për hapje aktiviteti, ndërsa për ofrimin e një shërbimi të tillë duhet të plotësosh disa kushte, disa kritere, të cilat ne nuk i dimë. Duhet të shkosh të interesohesh te Ministria e Shëndetësisë.

Gazetari: Të marr një shembull mund të marrë ambulancën e të transportoj, domethënë a mund të punojë unë me ambulancë? Mund të jetë një klient ose pacient në spital, do të vej nga QSUT, përshembull, do të iki në Lushnje ta çosh në shtëpi. Mund të punojë unë, nuk është ndonjë problem me ambulancë?

QKB:  Ne nuk mund të japim ndonjë informacion nëse ti mund të punosh apo jo.

Gazetari: Po ku mund ta marr unë informacionin?

QKB: Një sekondë, ne shërbejmë për regjistrim.

Gazetari: E pra dakord, po ku mund ta marr informacionin?

QKB: Ne shërbejmë për të hapur niptin.

Gazetari: Dakort, po pastaj?

QKB: Ajo që bëjmë ne është që të dhënat që jep ti ne i regjistrojmë.

Gazetari: Po pastaj?

QKB: Pastaj, se mundesh se s’mundesh duhet...

Gazetari: Ku të marr një informacion më të plotë unë?

QKB: Po e para që më lind në mendje mua do jenë institucionet ku ti do kesh një kontratë pune, a më kupton, se ti shërbimin normalisht, përderisa punon për spital, ose ke punë me spitalin ose me ministrinë.

Gazetari: Unë jam privat.

QKB: Privat, privat po duhet të kesh një kontratë, duhet të kesh disa kushte duhet të kesh…

Gazetari: Po pra, po ku ti marr unë këto?

QKB: Po duhet t`i përgjigjesh institucionit me të cilin do lidhësh kontratën, fakti që ti transporton të sëmurë, është njësoj si me bo transport nxënësish, është njësoj si me bo transport udhëtarësh, është njësoj si me bo transport mallrash. Tek ne trajtohen njëlloj bizneset, si me qenë avokat, si me qenë arkitekt, si me qenë mjek, njëlloj është.

Gazetari: Domethënë unë këtu vij thjesht regjistrohem, jap të dhënat e aktivitetit.

QKB: Po, problemi është sa të vlen ty regjistrimi që bën tek ne. Po ambulancën kam përshtypjen që duhet të kesh disa kushte.

Gazetari: Po ku duhet ta marrë licencën, ato gjërat?

QKB: Po nuk ka pra licencë po të them.

Gazetari: Si funksionon o vëlla, se mua më thanë që duhet të kesh?

QKB: Hë ça të thanë?

Gazetari: Që duhet të kesh një licencë të paktën.

QKB: Po ku e merr atë licencën?

Gazetari: Po nuk e di pra, prandaj kam ardhur të interesohem.

QKB: Ne nuk është se japim licencë, ne japim regjistrim, japim NIPT.

Ministria e Shëndetësisë: Ne nuk licensojmë shërbim me autoambulanca

Ministria e Shëndetësisë e kontaktuar nga BOOM tha se nuk kanë bazë ligjore për të licensuar aktivitet të tillë.

Gazetari: Si jeni? Mua më duhet një informacion lidhur me autoambulancat, dua të hap një biznes privat me autoambulanca.

Zyra juridike, Ministria e Shëndetësisë: S’dimë gjë për këto ne.

Gazetari: Po ku mund të gjej një kuadër ligjor se vdiqa kam bredhur çdo lloj institucioni të mundshëm?

Zyra juridike, Ministria e Shëndetësisë: Vetëm te QKB.

Gazetari: Po te QKB vajta unë e më thanë që ne të regjistrojmë thjesht si nipt. Transportim pacientësh nga QSUT-ja përshembull në rrethe, ku di unë në Berat.

Zyra juridike, Ministria e Shëndetësisë: Dëgjo për këtë nuk ka asnjë gjë që ta parashikoj që unë e licensoj këtë aktivitet.

Gazetari: Po si i bëhët?

Zyra juridike, Ministria e Shëndetësisë: Thjesht vetëm këtë që të kanë thënë te QKB-ja. Që të regjistrohesh, për ça aktiviteti, për transport vëlla. Unë nuk bëj nuk kam licensim transporti. Ato ambulancat që sheh ti janë ambulancat e spitaleve private. Spitalet private kanë brenda vetes së vetë edhe urgjenca .

Gazetari: Kam parë edhe agjencitë funerale që e kanë.

Zyra juridike, Ministria e Shëndetësisë: S’ka lidhje fare me atë që është, ato e kanë brenda shërbimit të vet, e kanë këtë, por jo që e kanë të licensuar. Ato thjesht janë të regjistruar ashtu siç të ka thënë QKB-ja për këto. Në ligjin që kemi dhe VKM që kemi nuk e kemi që ne licensojmë këtë aktivitet. Ti ç`ke o vëlla, në rregull je me shtetin po u regjistrove. Kaq e ka shteti.

Gazetari: Po mos ha ndonjë gjobë kot se këta po të vunë gjobën të groposin.

Zyra juridike, Ministria e Shëndetësisë: Kaq ka nuk ka gjë tjetër. Ti do transport. Unë nuk licensoj për transport mjekësor.

Gazetari: Jo unë dua kuadër ligjor të saktë.

Zyra juridike, Ministria e Shëndetësisë: Jo, nuk ka.

Gazetari: Mos të ha gjoba kot.

Zyra juridike, Ministria e Shëndetësisë: Aktivitetet që licensohen në fushën e shëndetësisë janë ato që parashikohen ja po ta them kështu në aneks. Në aneks për ligjin për lejet dhe licensat. Aty nuk është e parashikuar kjo. Nuk e kam të parashikuar unë që të licensoj si aktivitet. Ça nuk është e ndaluar është e lejuar. Unë nuk kam ndonjë gjë për ty. Që të them unë kam këto kritere.

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore thotë se është aktivitet i paligjshëm.

Gazetari : Si je ti?

QKUM: Si kalon ti?

Gazetari: Mua më duhet një konsulencë, dua të hap një agjenci funerale, që të punoj me shërbimet funerale, por dua të marr edhe nja dy ambulanca . Ka ndonjë rregullore ligjore që mund të funksionosh me këto ambulanca, për të marr një të sëmurë nga QSUT ta çosh në Berat apo në Lushnje? Vijnë familjarët dhe thonë që dua…

QKUM: Domethënë është një person që ka vdekur dhe ti do ta…

Gazetari: Mund të jetë dhe në gjendje të rendë ai, ja kanë hequr shpresat mjekët dhe thonë merre në shtëpi, çojeni.

QKUM: Dhe ti do ta bësh këtë me këto ambulancat e tua?

Gazetari: Po kam parë disa agjensi funerale të cilat kanë edhe shërbimin e ambulances.

QKUM: Po.

Gazetari: Po unë kam vajtur të pyes po nuk më tregojnë se puna e konkurrencës.

QKUM: Është edhe puna e konkurrencës, po unë mendoj se e bëjnë në mënyrë jo ligjore. Përshembull, ne rastet e vdekjes, ambulanca jonë shkon për të konstatuar vdekjen, nëqoftëse është rast mjeko - ligjor kalon te mjeko – ligjori, nuk merremi ne, ndryshe e mbajnë familjarët dhe merren ata. Pjesën e agjencive funerale, tanët, mjekët dhe infermierët nëqoftëse kanë ndihmuar e kanë bërë në mënyrë private dhe për përfitime personale, kanë qenë komplet jashtë rregullave.

Gazetari: Po si mund të marr diçka?

QKUM: Diçka ligjore të rregullt? Nuk besoj se deri tani janë në formë të ligjshme ata që janë

Gazetari: Se ata punojnë, unë kam parë që punojnë.

QKUM: E di që punojnë e di, madje unë di që ka edhe nga ata të terrenit që i kanë marrë në telefon këta të funeraleve e ju thonë, po prapë janë të gjitha në të zezë, janë të gjitha jo ligjore.

EMISIONET