BOOM: Diga e HEC-it dëmton urën, banorët të rrezikuar

Kamera e emisionit BOOM në puntatën e kësaj të mërkure (9 tetor) ka udhëtuar në fshatin Kuturman të Librazhdit, për tu njohur me shqetësimin e banorëve.

Ata thonë se diga e Hec-it në mbi lumin Rapun, u ka dëmtuar urën që është e vetmja mundësi komunikimi me pjesën tjetër, por edhe i rrezikon ata.

Banori 1: Kur u bë  hidrocentrali kanë dalë në pah nja dy kolona të asaj ure që janë në rrezik  se u zbuluan dhe dolën, u shtrembëruan. Në qoftë se ajo këmba do të pësojë defekt, ura do të thyhet, do të prishet dhe për ne do të bëhet e pakalueshme dhe fshati do ngelë pa vlerë. Janë dy fshatra ,  rreth 600 -700 banorë. Një goditje të ketë ajo, këputet e gjithë ura. Një masë nuk është marrë për të. Diga kur derdh në dimër , atëherë  gërmon më shumë. Po u shemb ura do të thotë se duhet të futemi në lumë.


Banori 2: Diga ajo e dëmtoi. Kur hapet ajo, në dimër, përplaset edhe gërryen. Ajo e dëmton atë. Ka edhe nxënës shkollë që rrezikohen.

Banori 3: Ata që kanë bërë Hec-in, ata na e dëmtuan. Janë shtrembëruar edhe këmbët. Duhet ta ketë në vëmendje (kompania). Po për Hec-in kë kanë pyetur ata që u bë? Mbase mund të jetë pjesa poshtë që mund të kenë bërë ndonjë marrëveshje, pjesa lart, jo.

Banori 4: Kalojnë makina të mëdha. Po të shpërtheje Hec-i, ajo do të mbarojë. Derdhjet janë të frikshme. Gjatë dimrit prurjet janë të mëdha.

BOOM kontaktoi edhe me kreun e bashkisë së Librazhdit  Kastriot Gurra, i cili tha se shkak i vetëm i dëmtimit të urës është bërë kompania që administron Hec-in në këtë zonë.

Kastriot Gurra: Shqetësimi i banorëve është i drejtë. E vërteta është që dëmtimi i këmbës së urës, për fat të mirë akoma nuk ka ndodhur, por rreziku për të ndodhur është shumë i madh. Ka ndodhur për arsye se teknikisht në momentin që diga hapet, aty vjen ujë i pastër, pa mbeturina dhe bën gërryerjen e këmbës së urës. Ne kemi patur një komunikim, fillimisht verbal, me përfaqësuesit e firmës, jemi përpjekur t'i sqarojmë se është një gjë që duhet ta bëjnë ata sepse dëmin e kanë shkaktuar ata  dhe pasi nuk ia kemi dalë në rrugë verbale, kemi filluar një komunikim zyrtar me firmën dhe presim nga dita në ditë që ata ta kryejnë  këtë detyrim që ata  kanë. Është një dëmtim që e kanë shkaktuar ekskluzivisht ata sepse ura ka qenë aty këtu e prej shumë dekadash. Shpejtësia e ujit, presioni shumë i madh ka bërë që të heqë shumë materiale.


Kompania ka patur disa justifikime që nuk e kemi shkaktuar ne. E vërteta është që ka patur një mungesë vullneti nga ana  e tyre për të kryer këtë detyrim që kanë. Nëse nuk do të arrijnë dot ta kryejnë në mënyrë vullnetare, në bazë të shkresave që i kemi dërguar, ne do t'i hedhim në gjyq civilisht, ashtu sikundër jemi në gjyq për një tjetër urë që e kanë dëmtuar ata. 

BOOM nuk e la me kaq, por iu drejtuar edhe inxhinierit që ka projektuar urën. Sipas tij problem që është shfaqur nuk është aq serioz sa pretendojnë banorët.

Inxhinieri, projektuesi i urës: Ura nuk paraqet rrezik eminent për t'u prishur. Nga pikëpamja vizuale, ura nuk ka lëvizur. Megjithatë, elementet e sigurisë së një ure duhet të plotësohen siç janë standardet e nevojshme. Kontaktova me kompaninë e Hec-it, bëra një projekt për mbrojtjen e këmbëve të urës. Ky projekt u paraqit në bashkinë e  Librazhdit për të marrë një miratim. Nëpërmjet një këshilli teknik , ne demonstruam të gjitha anët pozitive dhe negative. Ata ranë dakord gojarisht që ky projekt të zbatohet. Nga pikëpamja administrative ne presim zbardhjen e vendimit të këshillit teknik, të njoftohet Hec-i, të thotë "Ju është miratuar projekti, ju lutemi filloni punimet sa më parë". Kjo e ka bllokuar këtë punë që nuk vazhdohet është si puna e lejeve të pallateve që të vjen policia e të bllokon punën po nuk ke një leje. Ata ta zbardhin vendimin e t'i dërgojnë një kopje Kishës e t'i thonë filloni punën, projekti u miratua.


Në këtë zonë  ka ngritur aktivitetin  e saj kompania “ C dhe S Energy“ që ka në  administrim Hec-in  Rapun 3, 3A dhe Rapun 4. Në ekstraktin e  QKB rezulton se administrator i saj është z.Harallamb Gjoka që prej vitit 2017 e deri ne vitin 2022 dhe se te hapësira e ortakeve shihet se me 100 përqind aksione është Fondacioni Kryepeskiopi Anastas.

Gazetari i BOOM kontaktoi administrator i kompanisë, i cili tha se ky nuk është një problem i shkaktuar nga kompania që ai administron.

At Harallamb Gjoka, administrator i kompanisë “ C dhe S Energy“: Jemi në dijeni të problemit. Në fakt nuk është problem. Ne kemi marrë masat si kompani  dhe së shpejti, besoj se do kemi një zgjidhje të kësaj situate. Jemi në kontakte edhe me bashkinë. Banorët, e dinë shqetësimin e tyre. Kemi kontakt edhe me inxhinierët përkatës për zgjidhjen e situatës sa më shpejt. Dëshira është plotësisht pozitive.


Gazetari: Është shkaktuar nga kompania dëmi në këtë urë apo ka patur shkak tjetër ?

Administratori:  Dëmi nuk quhet i kompanisë. E kemi shprehur edhe me shkresë. Rëndësi ka që në nuk duam që të tensionohet situata. Duam të zgjidhet. Jemi pranë banorëve, pranë bashkisë, pranë shtetit. Është një Hec që ka kompania jonë atje: Rapun 3, 4. Prodhon që prej tre vitesh çdo problem që ka patur edhe nga ana e bashkisë  e banorëve, e kemi zgjidhur bashkë. Ne bashkinë kemi marrëdhënie perfekte. Komunikimet me shkresa dhe nga ana fizike kanë qenë perfekte dhe nuk besoj se nuk kanë ndonjë ankesë se do ta dinim.


EMISIONET