"BOOM"- Bashkia Tiranë ndërton korsi për biçikleta dhe nuk siguron korsi për emergjencat

Emisioni “BOOM” trajtoi këtë të mërkurë një fenomen që në Tiranë prej kohësh është kthyer në një shqetësim, veçanërisht kur bëhet fjalë për jetën e qytetarëve.

Fjala është për korsitë, nëpër të cilat duhet të qarkullojnë mjetet e urgjencës mjekësore, pra, autoambulancat.

Pjesa më e madhe e akseve rrugore, qofshin ato kryesore apo dytësore nuk kanë korsi të dedikuar për urgjencat dhe në të paktat që ekzistojnë, nuk përdoren pasi zihen nga mjete të tjera. Hapësirat e tjera gjithmonë i gjen plot trafik në çdo orë.

Për ekipet e urgjencave çdo minutë e fituar apo e humbur ka një rëndësi të madhe, pasi një vonesë si pasojë e trafikut në rrugë, mungesës së korsive të emergjencave apo zënies së hapësirave nga mjete të tjera, vendos fatin e pacientit që pret me padurim mjekët për ta vizituar kudo ai ndodhet apo për ta transportuar në insitucione shëndetësore për ndihmë më të specializuar.

Kreu i emergjencave: Ne dhe sikur 1 minutë të fitojmë do të thotë mbijetesë, qeliza cerebrale humbet 10 përqind në 1 minutë. Në 10 minuta 100 përqind dhe ne na ngelet personi invalid nëse nuk do të bëjmë dy shtypje gjoksi. Institucioni vendor duhet të krijojë korsitë e emergjencave në rrugët e mëdhaja. Një kontroll të rreptë në parkimet paralele.

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka ngritur 9 pika në qytet me mjete në gatishmëri, në mënyrë që koha e veprimit të jetë sa më e shpejtë, por ndodhemi sërish përballë një terreni të vështirë, në një qytet ku ndërtohen korsi për biçikletat dhe nuk punohet për ato të urgjencës, me një kaos të madh që shkaktohet nga trafiku në rrugë.

Nëse rrugët do të ishin të gjëra, me korsi për emergjencat, nëse rrugët do të ishin pa trafik, koha e veprimit për të pacienti, të paktën për t’i dhënë ndihmën e parë pretendohet të bëhet për vetëm 5 minuta.

"Sigurisht që emergjenca është e para. Biçikletat kalojnë dhe në trotuar".

"Vdes tjetri në mes të rrugës. Ata që e projektojnë këtë punë duhet të marrin parasysh dhe nevojat e domosdoshme".

Emisioni "BOOM" ndoqi nga afër dhe disa raste konkrete të një pacienteje që kërkoi ndihmë pranë sacionit të autobusave në Laprakë.

E gjithë koha e veprimit u realizua për 14 minuta deri te transportimi i saj në QSUT.

Përshkuam rrugën “Dritan Hoxha” e “Ferit Xhajko”, rrugë me trafik e zënie të korsisë së emergjencave si te “Dritan Hoxha”.

EMISIONET