BOOM analizon akulloret që skadojnë në 2020-ën, ISUV: Janë jashtë standardi

Emisioni "Boom" këtë herë është ndalur tek siguria ushqimore. 

Produkti i akullores, një ndër më të preferuarit e sezonit të verës, nën ambalazhin tërheqës për të rritur apo fëmijë, prodhuar në Shqipëri apo ardhur nga jashtë, ka një të përbashkët, afatin 2- vjeçar të jetëgjatësisë.

Edhe pse një pjesë e mirë e tyre nuk ka asnjë datë prodhimi në etiketë, gazetarët e "Boom" i kanë blerë këto akullore në qershor të këtij viti, ndërsa në etiketë lajmërohet skadenca në muajin tetor të vitit 2020.

Akullore të ardhur nga Iraku

Në disa nga këto akullore, data e skadencës fshihet thjesht duke e prekur me gisht.  Në tregun shqiptar, gazetarët gjetën edhe një produkt të ardhur nga Iraku, një akullore për fëmijë, e cila në paketim kishte një nga personazhet më të dashur për ta.

Nëse përbërësit e akulloreve janë disa nga përbërësit më delikat, si qumështi, veza, uji, ëmbëltuesit produkte këto të cilat veç e veç kanë një afat shumë më të shkurtër skadence , atëherë si ka mundësi që këto akullore mund të ruhen për më shumë se 2 vjet?

Afati për jetëgjatësinë e akullores 126 ditë

Sipas drejtorit të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Hasan Stafa, afati i parashikuar për jetëgjatësinë e një akulloreje është 126 ditë dhe vendosja e një afati kaq të gjatë skadence, është në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit.

Hasan Stafa: Shkencërisht ose nga ana bio-kimike , shkencore mjekësore 126 ditë është qëndrimi i një akulloreje në temperaturën që arrin deri në 4 gradë që presupozon që këto marketet dhe mjetet frigoriferike plotësojnë kushtet, që presupozon një sezon prej katër muajsh që kjo akullore duhet të konsumohet.

Gazetarja: Nëse disa nga produktet që përbëjnë akulloren janë veza qumështi ujë , embëltuesit dhe kanë të gjithë një afat skadence i cili nuk i kalon në të gjitha këto elementë 6 muaj apo një vit ?

Hasan Stafa: Sado që të përpunohet, sado që të ketë arritur teknologjia dhe tek ushqimet gjenetikisht të  modifikuara që presupozohet janë ushqime të koncentrura dhe qëndrojnë gjatë , janë produktet më afatgjata, nuk arrin, sepse thjesht përbërja e vezës , që rreth 70 % e saj është proteina , pa llogaritur laktozën te qumështi, pa llogaritur origjinën dhe përbërësit e ujit janë të gjitha këto produkte që bashkohen me njëra tjetrën +ëmbëltuesit, të gjitha duke i bërë bashkë, secila nga këto është një element kimik dhe po të shohësh tabelën e mendelejevit secila nga këto zbërthehet , secila nga këto bashkohet, secila ka një kohë rezistence po ka dhe një afat skadimi.Dhe ky afat skadimi është kur brenda tyre fillon zbërthimi, denatyrohet produkti dhe kthehet në produkt të papërshtatshëm, pra ktheht në një produkt të rrezikshëm.

Gazetarja: Atëherë pse është lejuar që në Shqipëri të kemi qoftë akullore të prodhuar në Shqipëri me afat kaq të gjatë skadence, qoftë të ardhura nga jashtë për tu tregëtuar në vendin tonë.

Hasan Stafa: Kjo është në kundërshtim me ligjin e konsumatorit, i cili përcakton fare qartë se si duhet përgatitur një produkt, kur përgatitet një produkt dhe çfarë të dhënash duhet të ketë etiketa e këtij produkti. Nëse nuk ka një datë prodhimi do të thotë që është totalisht një produkt i pasigurtë .Nëse vendoset një afat dy vjeçar për skadencën, do të thotë që është një informacion mashtrues.      \

Gazetarja iu drejtua edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ku u tha se "Data e jetëgjatësisë minimale për një ushqim të caktuar do të jetë data deri në të cilën produkti ushqimor ruan karakteristikat e tij specifike, me kusht që të jetë ruajtur në mënyrë të përshtatshme".

Emisioni BOOM çoi dy mostra për analizë në ISUV, për akulloret, një prodhim vendas një i huaj, nga Iraku.

Akullorja shqiptare, ngarkesë mikrobiologjike 19 herë mbi normën

Nga analizat që emisioni "Boom" ka bërë në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, prodhimi shqiptar me afat skadence deri ne  2020, ka dalë me ngarkesë mikrobiologjike 19 herë mbi normën e lejuar, ç`ka nënkupton rrezikun që përbën qëndrimi i tij në treg, aq më tepër edhe për dy vjet. Prezenca e lartë e enterobakterieve shkakton helmime të cilat mund të sjellin pasoja të rënda tek konsumatori, aq më tepër tek fëmijët.

Akullorja që vjen nga jashtë, ngarkesë mikrobiologjike 0

Ndërsa produkti i ardhur nga jashtë ka dalë me ngarkesë mikrobiologjike 0, ç`ka sipas specialistëve tregon se kjo akullore ka në përbërje shumë aditivë, të cilët nuk lejojnë zhvillimin e asnjë mikrobi. Prezenca e shtuar e aditivëve mund të bëhet shkak për sëmundje të rënda, përfshi dhe ato kancerogjene.


EMISIONET