Ndërsa kampionatet e futbollit në të gjithë botën janë ndërprerë prej krizës së koronavirusit, një në Europë vijon normalisht. 

Në fakt “Vysheyshaya” bjelloruse nuk e vlerëson si të rrezikshme pandeminë dhe sezonin e kanë nisur në fund të javës së shkuar sipas axhendës së parashikuar. Të enjten, Energetik BGU mposhti BATE Borisovin 3-1, në ndeshjen që ngriti siparin e sezonit të ri dhe tifozët ishin normalisht në shkallët e stadiumit.

Presidenti i Federatës Bjelloruse të Futbollit, Vladimir Bazanov ishte i vendosur që kampionati të mos shtyhej. 

“Për çfarë arsye nuk duhet të nisë? A ka një gjendje të jashtëzakonshme të shpallur në vendin tonë? Nuk ka situatë kritike, kështu që vendosëm ta nisim sezonin sot”, deklaroi ai javën e shkuar. 

Bjellorusia ka 81 raste të konfirmuara të prekur nga Covid-19, një shifër e ulët në krahasim me shumicën e vendeve të tjera në Europë, ndërkohë që rasti i tyre i parë i infektuar u zyrtarizua më 28 shkurt. Deri tani nuk ka asnjë viktimë.


/Ora News.tv/