Ngritja e bursës vijon të jetë një nga kërkesat kryesore të biznesit. Në nisje të javës së investitorit, kreu i Dhomës Kombëtare të Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jakaj, bëri apel për investime në mundësitë që të jep ekonomia globale. Drejtori i Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Ervin  Koçi, u kërkoi investitorëve që të bëjnë kujdes te investimet me subjekte të treta.

Përfshirja e biznesit në tregun e kapitalit vijon të mbetet ende e dobët ndaj dhe Drejtori i Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Ervin Koçi, e sheh këtë si mundësi të mirë jo vetëm për të siguruar financime por edhe për të kontribuar direkt në rritjen  ekonomike të vendit.

Ervin Koçi: Ky takim është i pari që zhvillohet në kuadër të kësaj inisiative me biznesin si potencial jo vetëm për të investuar në tregjet financiare dhe tregjet e kapitaleve, por edhe për të përdorur produktet për financimin e projekteve që ofrojnë këto tregje.

Kreu i Dhomës Kombëtare të Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jakaj, tha se instrumentet e tregut të kapitalit janë një domosdoshmëri në mënyrë që biznesi shqiptar të jetë sa më konkurues në epokën e globalizimit.

Nikolin Jakaj: Është shumë e rëndësishme që sipërmarrja të ketë qasjen e duhur ndaj këtyre femomeneve që janë në ndihmën e saj për ta parë me prioritet mënyrën e financimit të inisiativave të saj me format qoftë të bursës apo trajtimit të kapitaleve apo aksioneve.

Java globale e investitorit do të vijojë me takime mes grupeve të interesit me qëllim ndërgjegjësimin dhe informimin në lidhje me tregun e kapitalit, fondet e investimeve dhe pensionet private.

/Ora News.tv/