Beteja 3 mujore e Uliksit me Hepatit C, rifiton rimbursimin

Beteja 3 mujore e Uliksit me Hepatit C, rifiton rimbursimin

Në fund të qershorit të këtij viti u publikua rasti i Uliksit, djalit nga Tirana, i prekur me hepatitin C.

Virusin, 18 vjeçari e kishte marrë gjatë një transfuzioni gjaku kur ishte fëmijë. Mjekët e diagnostikuan që në 2017, por djali i ri nuk po arrinte të përfshihej në listën e përfituesve.

“Nëse nuk e marr mjekimin, nga çfarë kam lexuar, mëlçia ime do të kthehet në kancer”, kështu deklaroi Uliksi rreth 3 muaj më parë.

Por sot duke mbajtur vazhdimisht një komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin e Sigurimit Shëndetësor Uliksi dhe nëna e tij Florina u bënë sërish pjesë e medias.

“Jam e lumtur. Ditën që më morën në telefon kam fluturuar. Rrugën nga spitali në shtëpi nuk e kam ndjerë, nuk di kë merrja në telefon nga gëzimi. Doja ta merrnin vesh të gjithë familjarët dhe ata që m’i kanë ndenjur afër djalit. Kjo kuti do shërojë dy sëmundje, Hepatitin C dhe stresin që kemi kaluar si familje. Djali do të marrë tre kuti të tilla, për 3 muaj. Vetëm një kuti kushton 12 milionë lekë”, ka thënë Florina Halili, nëna e Uliksit, në një intervistë për Top Channel.

“Kjo është jeta imë dhe unë ju falënderoj, sepse bëtë një gjë gjigante për mua. Mesa kam lexuar, dhe siç më tha mjekja, shërueshmëria është nga 97 deri në 100%. Shpresoj edhe unë, të shërohem 100%. Tani më pret shkolla e lartë. Kam fituar të drejtën të studioj Shkenca Politike”, shprehet Uliks Halili.

EMISIONET