Ministrja e Arsimit, Besa Shahini reagoi pas publikimit të skandalit se në librin e klasës së 8-të, Kosova paraqitet në hartë si pjesë e Serbisë.

Shahini e quajti një gabim të paqëllimshëm duke shtuar se nuk është i vetmi.

Ministrja tha se autori i librit, artisti grafik dhe redaktori i shtëpisë botuese nuk arritën të vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në hartë.

Postimi i plotë i Ministres Shahini

Më erdhi keq kur pashë të postuar në rrjete sociale një faqe të një libri me pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit.

Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 23 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate. Por nga autori i librit, te artisti grafik, te redaktori i shtëpisë botuese e deri te komisioni që ka dhënë OK për botim, nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të!

Ky është natyrisht një gabim i paqëllimshëm dhe s’është i vetmi, megjithëse janë bërë përmirësime kolosale në korrigjimin e teksteve shkollore. Por padiskutim që nuk do të duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla në librat shkollorë!

Lajmi i mirë është se kjo ka ndodhur ndërkohë që po zhvillohet procesi i kontrollit të librave shkollorë, pasi sivjet është mbyllur procesi i hartimit të librave të rinj. Pastaj do të vihet në lëvizje detyrimi për shtëpitë botuese që t'i adresojnë menjëherë me fletë plotësuese gabimet e konstatuara, ndërsa në vijim me redaktim të plotë.


Denoncimi i nxënësit

Skandali u denoncua nga një nxënës i shkollës “Besëlidhja” në Ballsh.

Nxënësi shkruan se vuri re që në hartën e Ballkanit në librin e Qytetarisë 8, Kosova nuk njihet si shtet i pavarur por si pjesë e Serbisë.



/Ora News.tv/