Portieri i Atalantës, Etrit Berisha doli në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes kundër Islandës, e vlefshme për fazën kualifikuese të Euro 2020. Në fjalën e tij, gardiani i kuqezinjve analizoi gjendjen aktuale të skuadrës, teksa pohoi se stilit të lojës së islandezëve do i përgjigjet në mënyrën e duhur.

Mund të them që është e mirë. Kemi një trajner me eksperiencë të madhe dhe është munduar ta bëjë ekipin entuziast. Tani për tani, jemi të lumtur, pasi po kalojmë mirë si në stërvitje dhe jashtë. Nuk duhet të kemi presion. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Një rezultat i mirë do të hapte shpresat për kualifikim. Jemi një grup ku nuk ka shumë diferenca. Luajmë ndaj një kundërshtari direkt për kualifikim, çka do të thotë shumë për moralin dhe vetëbesimin e ekipit".

"Do të mundohemi ta përgatisim sa më mirë këtë ndeshje dhe të shohim. I kemi cilësitë e duhura për të marrë një rezultat pozitiv. Mendoj që Islanda, përveç lojës në ajër, ka dhe cilësi të tjera. Gjithsesi, jemi në këtë periudhë ku e kemi në konsideratë këtë gjë. Kemi shumë lojtarë që mund të bëjnë mirë në repartin e mbrojtjes. Kemi lojtarë me eksperiencë dhe lojtarë që luajnë në kampionate të rëndësishme. Mund të them që jemi të konsoliduar në këtë repart. Diferencën e kanë bërë gabimet tona. Besoj se do t’i eliminojmë këto gabime dhe do të kemi mundësi për rezultat pozitiv. Nëse dalim mirë nga kjo ndeshje, do të kemi vetëbesim dhe në ato që vijojnë
.”-deklaroi Berisha.

Takimi mes Shqipërisë dhe Islandës është parashikuar të zhvillohet pasditen e 8 qershorit në Reykjavik.

/Ora News.tv/