Një ish-lord i drogës kolumbiane, i njohur për bërjen e operacioneve plastike ekstreme për fshehjen e identitetit të tij, dëshmoi të enjten në një gjyq lidhur me aleancën e tij fitimprurëse të trafikut të drogës me homologun meksikan Joaquin "El Chapo" Guzman.

I pyetur për tiparet e tij tërësisht të modifikuara, Juan Carlos Ramirez Abadia shpjegoi se kishte bërë të paktën tre operacione plastike duke ndryshuar nofullën, mollëzat, sytë, gojën, veshët dhe hundën.

Ramirez Abadia i tha jurisë se i kishte dhënë ryshfete autoriteteve në Kolumbi për zhdukjen e dosjeve kriminale.

Në një karrierë 20-vjeçare, dëshmitari vlerësoi se kontrabandoi 400.000 kilogramë drogë, urdhëroi 150 vrasje dhe grumbulloi një pasuri aq të madhe sa humbi 1 miliard dollarë pas arrestimit të tij në Brazil në vitin 2007.

Ramirez Abadia u ekstradua në Shtetet e Bashkuara, ku u deklarua fajtor për vrasje dhe akuza të drogës.

Ai ra dakord të bashkëpunonte me drejtësinë për të dhënë dëshmi mbi ndjekjet penale më të mëdha të narkotikëve si Guzman.

Ramirez Abadia është tregtari i tretë i drogës që ka dëshmuar deri më tani në gjyqin në gjykatën federale të Brooklyn, ku po gjykohet Guzman.

Të enjten, Juan Carlos rrëfeu një takim në një hotel në Meksikë në fillim të viteve 1990, ku arriti një marrëveshje me El Chapo.

Sipas kësaj marrëveshje karteli kolumbian do transportonte drogën e tij në Meksikë për kartelin Sinaloa për ta kontrabanduar atë në Los Anxheles dhe Neë York.

Pasi Ramirez Abadia u zhvendos në Brazil dhe ribëri fytyrën e tij, dukej aq ndryshe sa që hetuesit e drogës ishin të detyruar të përdorin teknologjinë e njohjes së zërit për të bërë identifikimin e nevojshëm, tha avokati i ish-lordit  pas kapjes së tij.

 Ai u gjet në një shtëpi luksoze me palestër, sauna, pishinë dhe gati 1 milion dollarë të fshehura.

/Ora News.tv/