Reformat e realizuara nga Shqipëria do të vlerësohen me një raport paraprak nga Komisioni Europian. Ky raport pritet t’u paraqitet vendeve anëtare brenda shkurtit në mënyrë që të përgatitet puna për takimin e Këshillit të BE-së më 26 dhe 27 mars. Komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi, shkoi në një linjë me thirrjet e fundit të Uashingtonit se Ballkani rrezikon të manipulohet nga aktorë të tretë.

Brenda muajit shkurt Komisioni Europian do të paraqesë një raport të ndërmjetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, duke përgatitur terrenin për takimin e Këshillit të BE-së që do të mbahet më 26 dhe 27 mars.

Ndërsa kërkoi hapje të menjëhershme të negociatave me të dy vendet, komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi, shkoi në një linjë me thirrjet e fundit të Uashingtonit se Ballkani rrezikon të manipulohet nga aktorë të tretë.

“Ne jemi të sigurtë se çdo vonesë do të shkaktonte një rrezik të madh, duke dëmtuar qëndrueshmërinë në të gjithë rajonin. Ne gjithashtu do të rrezikonim nxitjen e manipulimeve nga aktorët të këtyre vendeve nga palë të treta që ofrojnë një perspektivë të rreme,” tha eurokomisioneri.

Dhe për të shmangur palët e treta, pa iu referuar specifikisht, Rusisë, Kinës apo Turqisë, komisioneri Várhelyi, bëri thirrje reformat transformuese në vendet e Ballkanit Perëndimor të mbështeten nga një rritje e fortë dhe e përshpejtuar ekonomike. Ndaj përveç metodologjisë së zgjerimit, Komisioni do të propozojë një qasje të re të marrëdhënies me Ballkanin Perëndimor, bazuar mbi zhvillimin ekonomik.

“Na duhet zbulojmë se çfarë masash konkrete  duhen marrë për të nxitur investimet në Ballkanin Perëndimor dhe lehtësimin e qasjes së tyre në tregun e përbashkët, krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e klimës së biznesit dhe të investimeve dhe ndalimin e rrjedhjes së trurit nga rajoni,” tha Várhelyi.

Thirrjet e komisionerit Várhelyi u bënë në Parlamentin Europian ku prezantoi metodologjinë e re të zgjerimit të Bashkimit Europian.

/Ora News.tv/