Bashkia, PD-së: Oborri i Gardës i kthehet Parkut të Liqenit, e ngatërroni me planin "Basha"

Bashkia, PD-së: Oborri i Gardës i kthehet Parkut të Liqenit, e

Bashkia e Tiranës thotë se Partia Demokratike doli përsëri bllof sot kur e akuzoi për përcaktimin e një zone të re zhvillimore me Planin e Ri të qytetit.

Sipas saj, Partisë Demokratike i është dashur 1 vit e gjysëm nga miratimi i planit urbanistik për të zbuluar se me planin e ri, në zonën e Liqenit nuk lejohen më ndërtime.

Në rastin konkret, Bashkia e Tiranës thotë se bëhet fjalë për zonën e Gardës së Republikës, zonë (TR169) e cila me planin e ri i kthehet Parkut të Liqenit, ndryshe nga plani i Bashës (zona 5-27), që sipas saj e kishte tërësisht të zhvillueshme.

Bashkia e Tiranës thotë se kjo është vetëm 1 nga 5 zonat e ndryshme të Tiranës që Bashkia e Tiranës me planin e ri ia ka kthyer Parkut të Liqenit, duke pezulluar tërësisht zhvillimin, ndryshe nga ndërtimet pa kritere që parashikoheshin me planin Basha.

Këto zona janë:

1. Zona e pishinave dhe e Parkut Olimpik

2. Parkimi privat te fillimi i Digës së Liqenit

3. E gjithë hapësira e pazhvilluar e zonës së Gardës

4. Zona e ish disko Refleksionit

5. Zona e kompleksit të Universitetit Politeknik të Tiranës

Gjithashtu shton Bashkia e Tiranës në reagimin e saj, në dy zona të tjera, tashmë të zhvilluara, pranë liqenit janë pezulluar shtesat në volum.

"Një prej këtyre zonave, në fakt, është edhe banesa private e kryetarit të PD-së, i cili gjatë kohës që ishte kryetar bashkie i dha vetes leje ndërtimi për shtesë kati mbi një pallat 11 katësh, në shkelje të pastër të ligjit dhe në konflikt interesi flagrant.

Parku i Liqenit të Tiranës është kthyer sot në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, sidomos nga fëmijët, pikërisht nga investimet e kryera në këto 3 vjet dhe prishja e ndërtimeve pa leje që kishin mbirë aty në vitet 2011-2015".

Në përfundim, Bashkia e Tiranës thotë se koha kur hiqeshin terrene shkollash për të bërë pallate ka mbaruar në qershor 2015.

EMISIONET