Në Tiranë, karta e studentit do jetë në funksion prej qershorit. Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar listën me 40 shërbime nga të cilat do të përfitojnë të rinjtë.

Erion Veliaj: “Do kemi edhe disa stacione të tjera ku studentët mund të marrin këto shërbime. Pretendojmë që deri në fund të verës të shkojnë deri në 100 shërbime publike dhe private.”

Një tjetër vendim i Këshillit Bashkiak është edhe dhënia e fondit për dëmet që kanë pësuar 155 familjet e përmbytura në zonën e bregut të lumit. Në këtë rast Veliaj theksoi se projekte si Unaza apo zgjatimi i Bulevardit nuk do ndalen.

Erion Veliaj: “Shumë prej tyre ndërtime pa leje, në shtrat të lumit, besoj se për aq solidaritet që kemi treguar me të gjithë me leje pa leje kur dikush është dëmtuar ne do ti japim një kontribut.”

Bashkia e Tiranës iu është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit për të dhënë ndihmë në rindërtimin e banesave të shembura nga tërmeti në Korçë.

Erion Veliaj: “Ne do të marrim përsipër ndërtimin e katër shtëpive në vlerën e 100 milionë lekë, në dallim nga bashkitë e tjera që janë më modeste dhe kanë mundësi të japin ndoshta vetëm për 1 ose për gjysmë shtëpie. Bashkia e Tiranës është pak më në gjendje.”

Duke ironizuar aleatët e PDIU, kryetari Veliaj tha se do e mbyllë mandatin duke mbajtur fjalën e dhënë.

Erion Veliaj: “Ka të bëjë me mbajtjen e fjalës për një ish-aleatin tonë që edhe pse nuk qëndroi deri në fund të kësaj marrëveshje, sheshi i dytë tek Bulevari i Ri do të quhet sheshi Çamëria.”

Në mbledhjen e këshillit bashkiak u miratuan gjithsej 11 vendime.

/Ora News.tv/