Ftesës publike të kryeministrit Edi Rama për tu ulur në dialog për reformën zgjedhore, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nuk i përgjigjet as pozitivisht as negativisht.

Në një prononcim për mediat, Basha thotë se fillimisht duhet dalë nga kriza politike përmes vullnetit politik dhe më pas një reformë zgjedhore e plotë.

Basha: Po ne jemi të vendosur dhe reforma zgjedhore ka rëndësinë e saj por zgjidhja e krizës politike kërkon vullnet politik. Letrat e hapura, provokime të tilla si përfshirja e të dyshuarve të dosjes 184 në reformën zgjedhore tregon mungesën e këtij vullneti politik. Hapi i parë për zgjidhjen e  krizës duhet të jetë pranimi i situatës së rëndë në vend. Vetëm, kjo mund të shtrojë bazën drejt një rrugëdalje nga kriza që prioritet të parë duhet të ketë ndarjen e krimit nga politika dhe një reformë zgjedhore të plotë.

Basha është dyshues te ftesa e Ramës, duke e cilësuar si të pasinqertë.

Basha: Kërkesa të tilla nuk janë të sinqerta kudo në botë. Sot për gjithë shqiptarët prioritet është zgjidhja e krizës. Kriza ekonomike mund të zgjidhet vetëm duke u zgjidhur kriza politike. Zgjidhja e krizës politike është prioritet absolut i Shqipërisë, është prioritet absolut i Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar. Këtë krizë politike nuk e ka shkaktuar kodi zgjedhor dhe as Kushtetuta dhe ligjet e Shqipërisë. Raporti i OSBE-ODIHR është i qartë, hapet me fjalinë se korniza ligjore është e plotë por mungon vullneti politik. Ndaj zgjidhja e krizës politike si prioriteti absolut për Shqipërinë dhe për lajmin pozitiv që duam dhe kërkojmë të integrimit të Shqipërisë në BE duhet të vijë vetëm përmes vullnetit politik.

Mungesën e sinqeritetit të Ramës, Basha e sheh edhe tek përfshirja e Damian Gjiknurit në reformën zgjedhore.

Basha: Nuk mundbtë fshihemi as pas letrave dhe fletërrufeve publike, as pas kërkesave të pasinqerta, as pas provokimeve të rënda siç është ai i ftesës nga një individ si Damian Gjiknuri që është një nga të dyshuarit kryesorë të dosjes 184. Nëse ideja e reformës zgjehdore përfshin Damian Gjiknurin atëherë të ftojnë dhe Ymer Lalën, Safet Bajrin, Shullazin dhe Avdylajt se kjo pastaj është tallje dhe provokim me gjithë shqiptarët. Reforma zgjedhore është shumë e rëndësishme. Opozita ka përgatitur tash dy vjet një platformë për reformën zgjedhore që është shumë më shumë se ndrysimet në kodin zgjedhor apo penal. Duhet të përfshijë një transformim të thellë politik që të çojë vendimmarrjen te qytetarët shqiptarë dhe të krijojë mekanizmat me anë të cilave kurrë më të mos përsëritet një krizë e tillë.

/Ora News.tv/