Opozita pranon propozimin e Kreut të Shtetit për të zhvilluar tre palë zgjedhje të 13 tetor, ato të përgjithshme, lokalet dhe presidencialet. Vendimi është bërë i ditur pas takimit që Basha zhvilloi me aleatët e opozitës, duke dhënë kështu sinjalin e parë se opozita mund të shkojë në zgjedhje edhe me Ramën kryeministër.  Ky qëndrim i Bashës erdhi pas një takimi kokë më kokë me kreun e shtetit, Ilir Meta.

Lulzim Basha dhe presidenti, Ilir Meta, e kanë nisur ditën e punës me një takim kokë më kokë në zyrën e këtij të fundit.

Pas 30 qershorit, Basha i shkon për herë të parë në zyrë Kreut të Shtetit me të cilin ndan qëndrimin e përbashkët se procesi i zgjedhjeve është nul. 

Presidenti, Ilir Meta, ka dekretuar 13 tetorin si ditë zgjedhjesh për pushtetin vendor, ndërsa Lulzim Basha për herë të parë duket se mbështeti këtë datë, ndërsa la të kuptohet se është i gatshëm të marrë pjesë në zgjedhje me të vetmin kusht, garantimin e standardeve.

Lulzim Basha: Padyshim lidhet me 13 tetorin. Kreu i shtetit mendon se 13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike, përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, zgjedhjeve lokale dhe ,siç është shprehur politikisht, edhe përmes zgjedhjeve të reja presidenciale, që nënkupton ndryshime kushtetuese. Duke vlerësuar maksimalisht qendrimin e presidentit dhe shqetësimin e tij, i kam bërë të qartë se Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar janë në këtë betejë për interesin e njerëzve, që zgjedhjet e ardhshme, ndryshe nga farsa e 30 qershorit, siç e deklaroi dhe OSBE/ODIHR-i, duhet të jenë për njerëzit, dhe jo për ymerlalët dhe shokun e tyre, “Bablokun” e madh dhe oligarkët.

Lulzim Basha, tha se opozita nuk tërhiqet nga misioni i saj për të garantuar për vendin zgjedhje të vërteta.

Lulzim Basha: Opozita ëshë e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës, që është dhunuar dhe tjetërsuar, përtej çdo përfytyrimi, çfarë e pa edhe me 30 qershor, ku Edi Rama nuk i rezistoi dot tundimit për të vjedhur edhe një proces ku kandidonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë, tabulonte vetë dhe, për të garantuar, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një qeveri që buron nga njerëzit dhe u shërben njerëzve.

Në takim me aleatët opozitarë, Basha ka diskutuar  hapat e mëtejshëm që do të hidhen në aksionin  politik.

Ai tha se është diskutuar gjerësisht për emergjencën ekonomike, ndërsa akuzoi qeverinë  se po vjedh e grabit qytetarët.


/Ora News.tv/