Basha zbulon kush lehtësoi negociatat mazhorancë-opozitë: Hapi i parë drejt zgjedhjeve të lira

Basha zbulon kush lehtësoi negociatat mazhorancë-opozitë: Hapi i

Pas rreth një viti nga djegia e mandateve, politika gjeti dje dakordësinë për reformën zgjedhore, tashmë edhe me veton e Partisë Demokratike.

Një ditë pas këtij zhvillimi, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një dalje për mediat tha se ky është hapi i parë drejt mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Lulzim Basha: Dita e djeshme shënon hapin e parë për përfundimin me sukses të procesit të diktuar nga Bundestagu që do ta çojë Shqipërinë drejt zgjedhjeve parlamentare të lira dhe të ndershme. Reforma zgjedhore nuk do të diktohet nga qeveria e dalë me votat e blera dhe pseudopozita e blerë me paratë e krimit dhe oligarkisë. Vendimet e reformës zgjedhore do të merren me konsensus mes dy palëve, opozitës së bashkuar dhe parlamentit monist plus patericat e veta. Parlamenti vetëm do të noterizojë formalisht marrëveshjet e tryezës politike nga e cila vendimet do të dalin me konsensus.

Basha u kujdes të sqaronte se ulja e palëve  në tryezë nuk erdhi nga vullneti i mirë i mazhorancës, por për shkak të presionit ndërkombëtar.

Dhe këtu ai një falenderim të veçantë pati për Bundestagun gjerman, partitë simotra gjermane. Basha falenderoi posaçërisht edhe ambasadorin britanik në Tiranë për rolin kyç të tij.

Shefi i opozitës la të kuptohej se falë tij mazhoranca pranoi tre kërkesat e opozitës për reformën zgjedhore.

Për ata që e kritikojnë opozitën për këtë hap, Basha tha se kjo nuk bëhet për karriget e tyre pasi ata i dogjën mandatet por vetëm për rikthimin e votës së lirë.

Lulzim Basha: Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi për vlerat me të cilat ka nisur kjo betejë dhe janë bërë sakrifica të panumërta nga mbështetësit tanë, drejtuesit tanë, qytetarët e thjeshtë. Çdokush që e mendon ndryshe gabohet.

Basha shtoi se "nuk do të tolerojmë asnjë vonesë në procesin e përfundimit siç është rënë dakord me 15 mars të reformës zgjedhore".

Për të zhgënjyerit, Basha pati këtë mesazh: "Asnjëherë në këto 7 vite nuk kanë qenë kaq të qartë dhe të grupuara synimet e opozitës dhe aleatëve që Shqipëria të mos mungojë trenin e integrimit dhe zhvillimit. Kemi qenë para synimeve të qarta bardh e zi. Të vazhdojmë në rrugën e dorëzimit apo të përdorim gjithë fuqinë për tu dhënë shqiptarëve një realitet europian politik, ekonomik dhe social."

EMISIONET