Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk i fshehu dot kritikat ndaj misionit të OSBE-së në Tiranë teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve nëse do të pranojë ftesën e saj për tu ulur në tryezën e reformës zgjedhore me mazhorancën.

OSBE, tha Basha, duhet të shprehet fillimisht lidhur me raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 320 qershorit.

Pyetje: Zoti Basha çfarë përgjigje do t’i jepni OSBE-së për t’u ulur në tryezë?

Lulzim Basha: Ne u kemi dhënë një përgjigje përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar dhe, për fat të keq, një përgjigje negative ka ardhur nga Edi Rama me alibinë se do të përgjigjej pas 30 Qershorit. Kështu që, nuk jemi ne pengesa për një proces transparent, parimor dhe gjithëpërfshirës  për zgjidhjen e vërtetë të krizës, por qartësisht, është Edi Rama, i cili nuk mund të fshihet as pas letrave publike dhe as pas letrave që çon me Damian Gjiknurin, pavarësisht se kushdo tjetër që firmos ato letra, duhet të analizojë thellë se cilat janë përgjegjësitë. 

Sa i përket OSBE-së në Tiranë pres akoma që OSBE-ja në Tiranë të shprehet për raportin e OSBE/ODIHR-it, pres akoma të shprehet për 3 kryebashkiakët me rekorde kriminale, pres akoma të shprehet për shkeljet e rënda  të Kushtetutës dhe të ligjit. Mendoj që këto janë të rëndësishme që shqiptarët t’i dëgjojnë. Nuk kemi dëgjuar asgjë nga këto nga OSBE-ja as për këto, as për të tjerat që kanë të bëjnë drejtpërdrejt më mandatin e OSBE-së, por, në fund të fundit, kjo është diçka që është përtej mandatit dhe gjykimit tim si kryetar i opozitës.



/Ora News.tv/