Ndryshe nga leja që ishte marrë deri në mesnatë, vendimi i presidentit Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve diktoi edhe mbylljen para kohe të protestës. 

Në fjalimin para selisë blu në mbyllje të protestës, kreu i PD-së Lulzim Basha pati një apel për socialistët.

Basha: I bëj një thirrje njerëzve me përgjegjësi politike në kupolën socialiste: Arrestoni krimin në kupolën tuaj, ndalni krimin në kupolën tuaj, merrni kontrollin politik të partisë, uluni në dialog për zgjidhje politike pa Edi Ramën kryeministër, me një qeveri tranzitore, le të garojmë para shqiptarëve me zgjedhje të lira dhe të ndershme, le të vendosim së bashku standardin europian të zgjedhjeve. Nuk është vonë për të shpëtuar PS nga krimi. Por një gjë është e sigurt, forcë që ta ndalë bashkimin popullor për rrëzimin e organizatës kriminale të Rilindjes nuk ka dhe nuk do të ketë. Anija e krimit po mbytet. Zotimi jone edhte te vazhdojme betejen deri ne fitore.

Basha tha se sot dështoi me turp përpjekja për zgjedhje moniste. 

Basha: Kërkoj mirëkuptimin tuaj që kjo natë e bekuar të mbetet me mesazhin e qartë dhe prerë se shumica jemi ne, se nuk do të hedhim asnjë hap pas deri në realizimin e objektivit tonë. Duam zgjedhje të standardeve europiane. Planet ogurzeza të provokatorëve të dhunës edhe sot duan të ndalin trajektoren e pandalshme të ngjarjeve që sapo kanë nisur dhe do të çojnë në rrëzimin e tiranisë së krimit. 

Gazi që hodhën mbi qytetarë krejtësisht paqësorë dhe përpjekja për të shndërruar këtë natë në një natë dhune për të tërhequr vëmendjen nga një bandë kriminale e kapur nga gjithë bota duke dhunuar zgjedhjet e 2017 dështoi me turp. 

Siç dështoi përpjekja për zgjedhje moniste kriminale pas anulimit nga Presidenti të 30 qershorit. Orët dhe ditët e ardhshme duhet të na gjejnë më në këmbë se kurrë, më të fortë se kurrë për ta çuar këtë betejë drejt fitores.Bisha e plagosur kriminale do bëjë gjithçka për të ndaluar grahmat e fundit të kufomës politike të organizatës kriminale të Rilindjes dhe kreut të bandës Edi Rama.Kur njerëzit bëhen bashkë për kauzën e drejtë nuk ka forcë që i ndal dhe nuk ka forcë që i mund.

Shefi i opozitës apeloi protestuesit të shmangin çdo provokim ndërsa një apel pati dhe për policinë.

Basha: I bëj thirrje banditëve që dhunojnë kodet dhe ligjet e policë dhe urdhërojnë policët të ushtrojnë dhunë dhe të bëjnë arrestime të paligjshme se as PD dhe as Lulzim Basha as nuk harron dhe as nuk fal, emër për emër do të mbani përgjegjësi për akte dhune  kundër qytetarëve, kundër protestuesve paqësore.Ora e triumfit të vlerave po afron.

Basha shprehu vendosmërinë se nuk ka tërheqje pas deri në fitimin e kësaj beteje deri në largimin e Edi Ramës.

Basha: Pjesëmarrja është shenjë e qartë  e shumicës dërmuese të shqiptarëve që janë të vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për Shqipërinë si gjithë Europa. Pjesëmarrja, bashkimi, qëndresa, vendosmëria është forca jonë dhe forca juaj. Rama ik! Është zëri juaj që kumboi nga Berlini në Bruksel, nga Londra në SHBA.



/Ora News.tv/