Partia Demokratike akuzon Prokurorinë se ka marrë urdhër politik nga kryeministri Edi Rama për të shoqëruar me forcë kreun e PD-së Lulzim Basha.

"Ky presion kriminal përmes urdhrave të paligjshëm të prokurores së kapur Elisabeta Imeraj po ushtrohet me urdhër direkt të Edi Ramës me qëllim për të larguar vëmendjen nga përgjimet e reja që ka paralajmëruar se do të publikojë sot gazeta gjermane BILD" deklaroi Gazmend Bardhi në një prononcim për median nga selia e PD-se mesditen e sotme (17 qeshor) 

Nderkohe tre prokurorët që po hetojnë dosjen e lobimit të PD-së në SHBA do të mblidhen për të marrë vendimin për hapat e mëtejshëm pas refuzimit që kreu i PD-se bëri për tu paraqitur në prokurori. 

Dy janë skenarët: E para urdhërimi i policisë për të shoqëruar kryedemokratin në prokurori. Skenari i dytë dërgimi i çështjes në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë.

Ora 09:00 Basha nuk shkon në prokurori i shkruan një letër

Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe dy drejtuesit e tjerë, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi nuk janë paraqitur sot në prokurori duke e konsideruar thirrjen e tyre në shkelje të ligjit.

Në një letër drejtuar prokurorisë së Tiranës, Kryetari i PD shpreh gatishmërinë për t’u paraqitur në prokurori, sapo ajo të zbatojë me përpikmeri ligjin. 

Në aktin “Ftesë për paraqitje” të datës 12 Qershor 2019, përcjellë me shkresën nr. 645 Prot. thuhej se Basha do të paraqitej në Prokurori për t'i njoftuar akuzën dhe për ta marrë të pandehur.

"Siç ju dhe opinioni publik jeni në dijeni, unë jam paraqitur në organin e prokurorisë mbi këtë çështje sa herë është kërkuar, në përputhje me ligjin. Këtë e kam bërë në respekt të plotë të ligjit, pavarësisht se në të gjitha rastet, thirrja e Kryetarit të Opozitës në prokurori mbi këtë çështje, është bërë gjithmonë pas paralajmërimit disa ditë përpara nga Qeveria dhe sa herë kjo e fundit ka qenë nën akuzë publike për skandale kriminale apo korruptive."  shkruan Basha në letrën e tij.

Më tej argumenton se thirrje e prokurorisë nuk është në përputhje me detyrimin ligjor të Kodit të Procedurës Penale (KPP), neni 308, pika 3, i cili kërkon që ftesa për t’u paraqitur duhet të përmbajë “parashtrimin e përmbledhur të fakteve që rezultojnë nga hetimet e bëra deri në atë çast”.

"Ju nuk keni parashtruar asnjë fakt që ka dalë nga hetimet në njoftimin tuaj, duke mos plotësuar detyrimet tuaja ligjore. Për këtë arsye, akti juaj i njoftimit është absolutisht i pavlefshëm, sikurse përcakton neni 128/ pika 1 shkronja c, i KPP-së që parashikon se “aktet janë absolutisht të pavlefshme kur nuk respektohen dispozitat që lidhen me thirrjen e të pandehurit, viktimës ose praninë e mbrojtësit kur ajo është e detyrueshme.”

Për këtë arsye, Kryetari i PD i ka kërkuar prokurorisë plotësimin e njoftimit për paraqitje sipas ligjit. 

Katër ditë më parë Prokurorët e çështjes, Ervin Karanxha, Gjergji Tafa dhe Kolë Hysenaj kanë firmosur flet thirrjen për kryetarin demokrat Basha, ish-sekretarin e PD, Arben Risanti si dhe Ilir Dervishin, ekonomist i PD.

Tre prokurorët thanë se pas përfundimit të fazës së paraprake të hetimeve që kanë nisur në 2018 gjetën elementë të veprave penale të kryera nga shtetasit Lulzim Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi. Sipas prokurorëve mbështetur në hetimet paraprake, Basha, Ristani dhe Dervishi janë tashmë nën hetim.

Tre prokurorët shkruanin në letër se nëse nuk paraqiten ndaj tyre do të veprohet me shoqërim të detyrueshëm.

/Ora News.tv/