Kryetari i PD, Lulzim Basha ka akuzuar edhe njëherë kryeministrin Rama për favorizimin e grupeve të caktuara duke dëmtuar konkurrencën e lirë dhe ekonominë e vendit.

Në një videomesazh në Facebook ai shprehet se dëmi ekonomik që qeveria aktuale i shkakton buxhetit shkon në 1.7 mld euro në vit.

Duke iu referuar raportit të KLSH, kreu i opozitës nënvizon se dëmi nga të ardhurat dhe shpenzimet në vitin e shkuar shkojnë në 200 mln euro. Sipas tij 16 mln euro ka paguar shteti për të larguarit në mënyrë të padrejtë nga puna. Ndërsa në çdo 1 euro grabitet 50 cent.

Sa i përket kontratave PPP për kreun e selisë blu dëmi shkon në 533 mln euro. Ndërsa nga viti 2014-2018 në buxhet kanë munguar 5.99 mld euro, që për Bashën janë grabitur.

Edhe njëherë kreu i PD, Lulzim Basha ka paralajmëruar protesta duke theksuar se shqiptarët nuk mund të pranojnë një qeverisje të tillë.

Basha: Shqiptarët janë pa punë sepse ekonominë dhe mundësitë ekonomike i kanë marrë oligarkët dhe klientët e Edi Ramës. Hajduti Psiqik dhunon të vegjlit dhe të varfrit dhe u shërben kriminelëve, të fortëve dhe oligarkëve.

Për kreun e opozitës, largimi i Ramës si kryeministër mbetet kusht i panegociueshëm.

/Ora News.tv/