Aksioni i opozitës duket se ka kaluar tashmë nga protestat në prezantimin e programit të ekonomisë. Në kongresin e Bashkimit të Sindikatave të pavarura të Shqipërisë, kryetari i PD Lulzim Basha ka premtuar se në muajt e parë të qeverisjes do të rrisë në 300 euro pagën minimale, ndërsa në fund të mandatit paga minimale do të jetë 400 euro.

Basha: Deklaroj para kësaj asambleje vendimin e PD për të kaluar brenda gjashtë mujorit të parë të qeverisjes masën e rrogës minimale në nivelin e 300 eurove dhe brenda 4 viteve 400 euro. Si një mase e domosdoshme për punëmarrësit, pa të cilët nuk mund të ketë treg të lirë dhe mirëqenie.

Gjatë fjalës së tij në Kongresin e 7-te te Bashkimit te Sindikatave te Pavarura te Shqipërisë, Basha premtoi që sapo të vijë në qeveri do të hetojë të gjitha PPP dhe koncesionet. Gjithsecila prej tyre, tha Basha, do të trajtohet si vepër e dyshuar kriminale.  Ndërsa garantoi vënien para drejtësisë nga zyrtari më i thjeshtë deri tek kryeministri.

Basha: Politika e PPP që është një vjedhje me ligj është sanksionimi me ligj i devijimit të qindra milionë euro të taksave të marra nga punëmarrësit, nga bizneset, zhvatja e shumicës së shqiptarëve për tia dhënë këto para një grushti oligarkësh për ti ndarë me një grusht politikanësh.

Është prioritet kombëtar dhe emergjencë absolute për PD që ditën e parë në pushtet do verë në lëvizje një plan kombëtar për hetimin e çdo afere korruptive të maskuar si PPP apo koncesion. Gjithsecila prej tyre do të trajtohet si vepër e dyshuar kriminale. Ne do të ndjekim paranë publike kudo që ajo të jetë devijuar. Ne do vëmë para drejtësisë çdo zyrtar përfshirë në këto skema korruptive nga juristi më i thjeshtë tek kryeministri dhe çdo person privat.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave nga ana e tij renditi angazhimet në vitet e fundit si dhe kërkoi  bashkëpunim për të siguruar të drejtat e punonjësve


/Ora News.tv/