Nga 1 shtatori Partia Demokratike nis punën për tu bërë gati për betejën elektorale të qershorit 2019. Lideri i opozitës, Lulzim Basha, ka theksuar se paralelisht me zgjedhjet në parti do të nisë procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për garën për bashkitë. Basha i dha përgjigje lajmeve të verës, duke mohuar në mënyrë të prerë mundësinë e bashkëpunimit dhe bashkëqeverisjes me socialistët.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me gazetarët, përgënjeshtroi lajmet e verës,  për mundësinë e një bashkëqeverisje me socialistët.

Basha: Nuk ka asnjë pakt me Partinë Socialiste. Dhe nuk do të ketë asnjë pakt me Partinë Socialiste për Reformën Zgjedhore, para se ne ti japim përgjigje dhe zgjidhje politike, katastrofës në të cilën ndodhet vendi dhe para se ne të arrijmë në akord opozitar, me të gjitha forcat politike të opozitës. 

Gjithçka tjetër është mashtrim, i cili bëhet me qëllim për të intensifikuar thashethemnajet e verës se do të ketë një tjetër pakt Rama-Basha. Nuk do të ketë një pakt tjetër Rama-Basha. Nuk do të ketë bashkëqeverisje PD-PS. Synimi i Partisë Demokratike dhe i imi është ti japim fund një orë e më parë, një qeverie të lidhur me krimin. Sepse pa i dhënë zgjidhje politike këtij problem.

Kryetari i demokratëve, njoftoi se në shtator do të  nisë procesi i zgjedhjeve në parti, i shtyrë disa muaj më parë.

Paralelisht me këtë, tha ai, do të evidentohen edhe kandidatët për zgjedhjet vendore.

Basha, la të kuptohet se opozita nuk ka qëllim të bojkotojë zgjedhjet edhe pse akuzon se socialistët të lidhur me krimin kërkojnë të blejnë votat e qytetarëve. 

Basha: Partia Demokratike do të nisë paralelisht, procesin e zgjedhjeve të brendshme në shtator dhe procesin e identifikimit të kandidatëve për zgjedhjet lokale dhe natyrisht do të përgatitet për zgjidhjen politike, e cila nuk mund të jenë zgjedhjet lokale.

Pra ne do të jemi në një proces aktiv me të gjitha strukturat, me gjithë anëtarësinë tonë, me gjithë simpatizantët tanë, natyrisht bashkë me aleatët por jo vetëm, edhe me faktorë të tjerë politikë dhe atë pjesë të shëndoshë të Shoqërisë Civile që të identifikojmë njerëzit më të mirë, në mënyrë që si në zgjedhjet lokale si në zgjedhjen tjetër politike, që natyrisht do të kalojë nëpërmjet zgjedhjeve politike të parakohshme, të kemi përfaqësimin më dinjitoz.

Në këtë pikë Basha, për herë të parë dha mesazh të qartë se kandidatët do të jenë të përbashkët me forcat e tjera opozitare, përfshirë LSI-në.

Basha: Vullneti im dhe i aleatëve të tjerë, është që natyrisht që opozita do të përballet e bashkuar me të gjitha sfidat, por jo vetëm ne, jo vetëm faktorët politikë, por ne po kërkojmë dhe do të zhvillojmë instrumentet që ky bashkim të jetë sa më i madh i shqiptarëve dhe jo vetëm i faktorëve politikë.

Basha nuk dha detaje për sjelljen e opozitës me Kuvendin, por kur flitet për ligjin e Teatrit të ri Kombëtar, ai kishte nje thirrje të prerë për socialistët.

Basha: Dua t’i përsëris thirrjen time të prerë, të tërhiqet menjëherë pa bërë gëk-mëk. Shansin ia ka dhënë Presidenti me kthimin e Dekretit e arsyetuar në mënyrë të plotë.Mos t’i shkojë në mendje ta sjellë në seancë! Mos t’i shkojë në mendje ta sjellë në seancë! Sepse ajo do të jetë siç ju thash edhe më parë, do të jetë një shpallje e konfrontimit dhe përplasjes civile.

Për herë të parë lideri i opozitës, Lulzim Basha, ka folur edhe për çështjen e Kosovës, duke u shprehur kundër idesë për korrigjimin e kufijve.

Basha tha se një ide e tillë atij i është propozuar nga serbët që në vitin 2010, por sipas tij është anti-Bashkimit Europian dhe NATO-s.

/Ora News.tv/