Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, thotë se nuk e kupton termin e përdorur nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për "korrigjim" të kufirit me Serbinë. Ndërsa në Prishtinë vlon ende debati disajavor për këtë temë, Basha nuk parapëlqeu në një intervistë me Çim Pekën në "Syri.net" që të jepte komente të tjera rreth kësaj çështjeje.

-Për shkak të viteve të gjata të punës të kaluara në Kosovë, si pjesë e stafit ndërkombëtar, ndoshta jeni politikani shqiptar apo ndër liderët politikë të Shqipërisë që e njihni më mirë Kosovën. Jashtë këtij konteksti, pra riskimi që ka anëtarësimi në NATO dhe në BE, a ka vend për korrektim kufijsh në Kosovë?

Basha: Ç’do të thotë korrektim kufijsh në Kosovë?

- Është një term që përdor presidenti Thaçi.

Basha: Ka demarkim, ka proces demarkimi kufijsh. Aty ku ka paqartësi, pra nëse kufiri bie tek molla apo tek gështenja, ka demarkim të kufirit. Ky është një proces teknik, ndërsa korrektimi i kufijve është një shprehje të cilën unë nuk e kuptoj.

- Presidenti Thaçi është shprehur qartë që…

Basha: Nuk kam ndërmend të komentoj publikisht këtu asnjë deklaratë…"

Basha nuk ka folur asnjëherë publikisht për këtë çështje, ndërsa një ditë më parë, Partia Demokratike lajmëroi se do të hartonte një rezolutë kundër prekjes së kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.

/Ora News.tv/